Ambasadori i Francës në Niger po qëndron në vendin e Afrikës Perëndimore duke sfiduar një ultimatum nga sundimtarët ushtarakë që urdhëruan të premten largimin e tij brenda 48 orëve.
Të dërguarit francez Sylvain Itte iu kërkua nga junta të largohej, pasi ambasadori refuzoi të marrë pjesë në një takim të planifikuar me ministrin e Jashtëm të Nigerit, duke përfshirë këtu edhe “veprime të tjera nga qeveria franceze që janë kundër interesit të Nigerit”,- tha ministria e jashtme e Nigerit javën e kaluar.
Presidenti francez, Emmanuel Macron tha të hënën se Itte nuk do të largohet nga Nigeri, pavarësisht skadimit të ultimatumit të juntës.
Duke folur në një konferencë me ambasadorët francezë, Macron tha se politika e Francës ndaj Nigerit është “e duhura” dhe tha se ajo bazohej në “përkushtimin e diplomatëve tanë, të ambasadorit tonë në terren që do të rri aty, pavarësisht presioneve dhe përkundër të gjitha deklaratave të bëra nga autoritetet jolegjitime.”
Franca nuk i njeh autoritet ushtarake të Nigerit, dhe këmbëngul se presidenti i rrëzuar Mohamed Bazoum, i cili u rrëzua në një grusht shteti muajin e kaluar, mbetet autoriteti i vetëm legjitim i vendit.
“Ne duhet të jemi të qartë, koherent” në mbështetjen e një lideri të zgjedhur në mënyrë demokratike si Bazoum, tha Macron.
“Nëse jo, kush do të na dëgjojë?”- shtoi ai, duke pyetur se si partnerët afrikanë mund t’i besonin Francës nëse mbështetja e vendit nuk do të ishte aq e vendosur mes asaj që ai e përshkroi si një “epidemi grushtesh shteti” në Sahel.
Deri në 1500 ushtarë francezë janë të vendosur në Niger, i cili ka qenë një partner kryesor i francezëve në rajonin e Sahelit.
Bashkimi Evropian shprehu gjithashtu “mbështetje të plotë” për ambasadorin francez të hënën, duke deklaruar se vendimi i juntës për ta dëbuar atë “është një provokim i ri që nuk mund të ndihmojë në asnjë mënyrë për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën aktuale”,- tha zëdhënësi i saj për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë Nabila Massrali.
“Siç është shprehur tashmë, Bashkimi Evropian nuk i njeh dhe nuk do të njohë autoritetet që rezultojnë nga grushti në Niger”,- shtoi Massrali.
Muajin e kaluar, Franca dhe BE njoftuan sanksione kundër Nigerit, duke përfshirë pezullimin e ndihmës financiare për vendin pas grushtit të shtetit, i cili ka marrë mbështetje nga një pjesë e vendasve.
Qindra demonstrues dolën në rrugë në rajonet Maradi dhe Tillabéri të dielën për të treguar solidaritet me juntën.
Gjithashtu në fundjavë, demonstruesit pro-juntës, kryesisht shtetas të Beninit dhe Burkina Fasos fqinje, u mblodhën në rrugë për të shprehur mbështetjen për administratën ushtarake të Nigerit.
Junta mbështetet fuqimisht nga qeveritë ushtarake të Burkina Fasos dhe Malit, të cilat kanë premtuar të ofrojnë mbështetje ushtarake për Nigerin nëse blloku i Afrikës Perëndimore ECOWAS konkretizon kërcënimin e tij për një ndërhyrje të mundshme ushtarake për të rivendosur Bazoum. CNN