Një ditë pas humbjes së thellë nga Chelsea, skuadra e Juventusit është përballur me kritika të ashpra.
Juventusi të martën mbrëma u mposht 4:0 në stadiumin “Stamford Bridge”, që ishte humbja më e thellë në 17 vjet dhe më e rënda në Ligën e Kampionëve. Me këtë humbje Juventusi ia dorëzoi pozitën e parë Chelseat në Grupin H, pas disfatës së parë këtë edicion në Champions.
Rezultati bëri histori të padëshiruar për klubin nga Torino, duke tejkaluar humbjet 4:1 nga Bayern Munichu në fazën e grupeve të sezonit 2009-10 dhe Real Madridi në finalen e edicionit 2016-17. Për Juventusin kjo ishte humbja më e thellë në garën elitare të klubeve të Evropës. Ishte humbja më e thellë e “Zonjës së Vjetër” në të gjitha garat që nga humbja 4:0 në Serie A nga Roma në shkurt të vitit 2004. Titulli i gazetës “Tuttosport” nga Torino të mërkurën ishte “Të turpshëm” dhe e quajti Juventusin “të pashikueshëm”. Ndërkohë, “Gazzetta dello Sport” shkroi “Ju mund të humbni nga Chelsea, por jo kështu… duke mos u poshtëruar nga minuta e parë deri në të fundit”. Titulli i të përditshmes “La Republica” ishte edhe më i rëndë, ku humbjen e së martës nga Chelsea e quajti “një mbrëmje regresioni dhe poshtërimi të thellë”.
Nuk ishin vetëm gazetat që kritikuan paraqitjen e Juventusit, pasi ekipi u kritikua edhe nga ish-lojtarët. Ish-kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero, që ishte i pranishëm në stadium, ka mbetur tejet i zhgënjyer me paraqitjen e ekipit.
“Pak, pak mund të shpëtohet nga një natë e tillë”, ishte postimi i tij.
Ndërkohë ish-mesfushori Alessio Tacchinardi shtoi: “Kjo skuadër bën dy hapa përpara dhe më pas dhjetë hapa mbrapa”.
Ish-trajneri i Juventusit, Fabio Capello, tha se ishte “një mësim i vërtetë në futboll” dhe sugjeroi se rezultati ishte tregues i betejave të skuadrave italiane në Evropë, me asnjë skuadër të Serie A që nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve që nga Interi në sezonin 2009/10.
“Ndoshta duhet të mësojmë nga trajnerët gjermanë për të luajtur një lojë më agresive. Nëse nuk ndryshojmë mënyrat tona, do të jetë e vështirë të arrijmë disa nivele”, shtoi ai.
Juventusi është klubi më i suksesshëm i Italisë, me 36 tituj kampioni në Serie A, por rënia e në “Stamford Bridge” nënvizoi regresionin e klubit në vitet e fundit. Maurizio Sarri udhëhoqi Juventusin drejt lavdisë në Serie A në sezonin 2019-2020, por u shkarkua pas një eliminimi në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve nga Lyoni. Pasardhësi i tij, Andrea Pirlo, i papërvojë, zgjati një sezon në krye të Juventusit pasi u eliminua nga Porto në të njëjtën fazë në Evropë dhe përfundoi në pozitën e katërt në kampionat përpara se të shkarkohej. Shpresohej që rikthimi i Massimilano Allegrit si trajner, dy vjet pasi ai u largua me pesë tituj të fituar rresht në kampionat, do të kthente krenarinë, por Juve e ka nisur dobët sezonin. Aktualisht zë vendin e tetë në Serie A pas 13 xhirove të zhvilluara pas humbjeve të turpshme nga Empoli, Verona e Sassuolo. Forma e Juventusit në Champions këtë sezon ishte shpëtimtare para duelit me Chelsean, pasi “Zonja e Vjetër” xhiron e shkuar e kishte siguruar kalimin përtej fazës së grupeve. Në fakt, Juventusi para duelit të kthimit me Chelsea, i kishte fituar të gjitha katër ndeshjet në grup. Megjithatë, të paktë janë ata që besojnë se ekipi aktual i Juventusit do t’i afrohet përsëritjes së arritjes me Allegrin, i cili pati udhëhequr ekipin në dy finale të Ligës së Kampionëve, në edicionin 2014/15 dhe 2016/17.
“Ne e dimë se cilat janë dobësitë tona dhe duhet të punojmë për t’i evituar ato. Unë besoj se ne do të përmirësohemi nga kjo paraqitje e dobët dhe do të jemi shumë më të mirë në ndeshjet e tjera”, ka premtuar trajneri Allegri.
Tifozët e Juventusit do të shpresojnë se ai ka të drejtë, pasi durimi ka filluar të konsumohet.

