Fatbardh Kadilli, ish-kandidati për kryetar i PD-së i jepe të drejtë Berishës kur thotë se PD ka shkarë majtas në drejtimin e Bashës.
I ftuar në “Ora e Betit” në Rtv Ora ai thotë se këto probleme i ka ngritur dhe ai në platformën e tij për kryetar.
Por rezerva ka për pretendimet e Berishës se Basha është peng i Ramës.
Kadilli: Ka një të vërtetë në atë që thotë Berisha. Basha nuk ndërtoi dot një opozitë përballë Ramës, nuk ndërtoi një aksion. Shfrytëzoi të gjitha mundësitë dhe mbështetjen dhe nuk bëri gjë. Berisha e akuzon si peng të Ramës, kam një rezervë të madhe. Nëse ka qenë, njeriu më i informuar në Shqipëri supozohet të jetë Berisha. Është e pafalshme nëse e ka ditur dhe e ka toleruar.
Ndërsa Adri Nurellari, ish-këshilltar i Presidentit Thaçi, thotë se të vërtetat në Foltore po thuhen në momentin e gabuar dhe nga njeriu i gabuar.
Nurellari: Në foltore po thuhen shumë të vërteta që i kanë munguar PD për një kohë të gjatë por janë duke u thënë në momentin e gabuar nga njeriu i gabuar. Duhet të ishin bërë më herët. PD po të kishte adresuar këto probleme dhe do ishte në pushtet. Berisha është strumbullari kryesor i gjithë këtyre të metave të PD, që janë të vërteta deri diku.Ka qenë noter që ka certifikuar atë sjellje.