Kandidati për kryetar i PD-së, Fatbardh Kadilli, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, në një deklaratë për mediat është shprehur se Basha nuk dëgjoi zërat kritikë brenda partisë.
Kadilli shprehet i vendosur për të vijuar garën e tij deri në zgjedhjet më 13 qershor sado e pabarabartë të jetë ajo.
Ai thotë se kundërshtari nuk mund të ndryshohet, por mund të ndryshohet PD, dhe sipas tij për të fituar me vete duhet të kesh qytetarët.
“Pavarësisht vendimit, zërat kritikë artikuluan qartë kërkesën ër dorërheqjen të kryetarit. Zërat kritikë nuk u dëgjuan, por vendimi i kryesisë dhe këshillit është të shpallet gara.
Sado e pabarabartë gara, sado jashtë standardeve, jam i vendosur t’i qëndroj deri në fund projektit për një PD të pastër, të bashkuar, të hapur dhe fituese. Duhet ti japim shpresë sot të gjithë shqiptarëve, një PD më të madhe se kryetari, se vetë PD, për një PD të shekullit të 21-të. Nuk ndryshojmë kryetarin, ndryshojmë veten. Që përballë krimit të kemi me vete qytetarin.
Jam për qytetarin që është qytetar politik, jo që e trajtojmë me oferta materiale. Do ia dalim, demokracia është e vështirë, rrugë e gjatë, një brez larg prandaj do e mbrojmë. Do i shkoj deri në fund përtëritjes së PD, por gjithë shoqërisë shqiptare“, tha Kadilli.
Këshilli Kombëtar dhe Kryesia e PD miratuan datën 13 qershor për zgjedhjet për kryetar , teksa deri më tani kandidatë janë kryetari aktual Lulzim Basha dhe Fatbardh Kadilli.