Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Lewis Hamilton nga sezoni i ri do jetë pjesë e Ferrarit. Paçka këtij ndryshimi, 39-vjeçari nuk e sheh veten shumë gjatë me “Kokëkuqen”, duke treguar se në të ardhmen do jetë pjesë e modës dhe kinematografisë.
“Unë e kam kuptuar që nuk mund të garoj përgjithmonë, sapo të ndalem do të jem një person i lumtur. Problemi i vërtetë është se dua të bëj gjithçka. Jam shumë ambicioz. Asgjë nuk është e pamundur, por për t’u bërë mjeshtër në diçka duhet shumë kohë. Nuk ka kohë të mjaftueshme për t’u bërë mjeshtër në të gjitha fushat.
Çfarë do të bëj pas garave? Mendoj se do të fokusohem te kinemaja dhe moda. Sa për kalimin tim në Ferrari, ndoshta ishte një dëshirë më e pavetëdijshme, e lidhur me periudhën e parë të jetës sime, por ka qenë gjithmonë një qëllim i rëndësishëm për mua. Për momentin, megjithatë, dua ta çoj Mercedesin në potencialin e tij të plotë këtë sezon”, tha mes të tjerash Hamilton.