Pas disa javësh negociatash, telenovela e Florian Virc duket se më në fund ka marrë fund.
Mesfushori me tipare sulmuesi është një hap larg veshjes së fanellës së Liverpulit, sipas “Sky Sports UK”.
Gjermani ka kaluar pjesën e dytë të testeve mjekësore të kryera këtë mëngjes dhe tashmë ka nënshkruar një kontratë që do ta lidhë me të kuqtë deri në qershor 2030. Njoftimi zyrtar i transferimit pritet në orët e ardhshme.
Ajo që pritet të realizohet përfaqëson një sukses të vërtetë në treg për ekipin e Arne Slot. Për të siguruar shërbimet e 22-vjeçarit, kampionët e Premier Ligës kanë paguar një shifër afër 137 milionë eurove, një shumë që do ta bëjë ish-lojtarin e Bajer Leverkusen blerjen më të shtrenjtë në historinë e kampionatit anglez duke tejkaluar transferimet e fundit të Enco Fernandez (121 milionë te Çelsi) dhe Xhek Grilish (117.5 milionë te Mançester Sitit).
Me këtë investim faraonik, Liverpul tregon se dëshiron të jetë skuadra që duhet mposhtur edhe sezonin e ardhshëm, duke vënë bast në një talent të qartë dhe ndër më premtuesit në futbollin evropian. Virc do të sjellë cilësi dhe kreativitet në një mesfushë tashmë plot klas, ndoshta duke u bërë një pikë e re referimi për të kuqtë.