Deputeti demokrat për Durrësin, Ferdinand Xhaferaj pas humbjes së PD-së në të gjashta bashkitë e vendit ka kërkuar dorëheqjen e Luzlim Bashës nga posti i kreut të partisë.
Xhaferaj bën të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook se e ka kërkuar dorëheqjen e tij gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar ditën e djeshme, 7 mars.
Sipas Xhaferajt, PD i ka kapacitetet të prodhojë një lidership të ri shpresëdhënës për partinë.
Xhaferaj: Mbrëmë, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, kam kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashes nga posti I Kryetarit të Partisë Demokratike. Alternativa që PD paraqet nën lidershipin e tij qartazi nuk është e pëlqyer as nga baza e partisë, as nga votuesit e djathtë, as nga elektorati gri.
Unë refuzoj të pranoj se Lulzim Basha nuk ka humbur asnjë garë. Po njësoj refuzoj të pranoj se PD është e ndarë ndërmjet Bashës dhe Berishës dhe s’ka opsion përtej tyre.
Themelet e një opozite të vërtetë, sic e meritojnë demokratë dhe më gjerë, hidhen duke dalë së pari nga kurthi i kultit të individit. Grupi Parlamentar i PD-së e ka kapacitetin dhe mbi të gjitha përgjegjësinë të prodhojë një lidership të ri që të nisë procesin e vështirë por shpresëdhënës të ringritjes së partisë.