Moderatori Enkel Demi ka prekur sërish çështjen e shkarkimeve në ‘Abcnews’. Me këtë çështje ai ka nisur programin e mëngjesit, i cili është shtyrë për në orën 08:00, pasi në 07:00 nisi programi i Bashkim Hoxhës. Demi tha se nuk do largohet nga ky televizion, edhe pse ka pranuar se e ka menduar në të kaluarën. Gjithsesi, ai shton se edhe nëse do t’i jepeshin 5 minuta më shumë kohë, do të ishte sërish në ‘Abcnews’ për të thënë atë që mendon.
Kunjat nuk i kurseu as për drejtuesin e televizionit, duke shtuar se: Po e bëjnë shumë mirë, sa me këmbë, sa me duar.
“Ja ku jemi edhe sot, në datën 21 mars, duke nisur nga sot do shihemi në orën 08:00, jo nga dëshira jonë po kështu si është bërë puna e Abc, shto miell dhe shto ujë ja ku jemi, i urojmë gjithë të mirat Bashkim Hoxhës. Ai mbetet një mik, bën punën e tij, për të tjerat nuk ia vlen që të diskutojmë, unë nuk kam qënë dakord kurrë që të ndodhin të gjitha këto gjëra që kanë ndodhur në ‘Abc’, ju besoj e dini se kam mbetur i vetëm trim në luftë, nuk më heqin nga puna, gjë që do të thotë se ABC e mëngjesit do vazhdojë. Nuk është e vërtetë që nuk kam menduar që të iki vetë. Kam dashur të iki, por në fund fare mu kujtu një varg i Migjenit që thoshte do mbetem thumb i ngulur në tru të njerëzisë kështu që edhe 5 minuta po më lanë do dal në televizionin e abc dhe do them e të tjerat nuk kanë nevojë që ti diskutojnë, se ato që kanë fantazi për ta bërë këtë televizion po e bëjnë shumë mirë, sa me këmbë, sa me duar e kështu me radhë”- shprehet Demi.
Kjo nuk është hera e parë që Demi flet publikisht për shkarkimet në “ABC News”. Pak kohë më parë, gjatë një bisede në studio, me gazetarët me të cilat bashkëmoderon programin ai është shprehur se i kishte miq të gjithë ish-kolegët, por ata u larguan nga puna dhe se tashmë nuk kanë kohë të takohen.