Përfaqësuesja e Italisë përballet me testin e parë të vërtetë që nga triumfi në “Euro 2020”. Skuadra e Roberto Mancinit këtë javë do të luajë në “Final Four” të Ligës së Kombeve, ku do të paraqiten edhe tri përfaqësueset më të mira të kësaj gare kontinentale.
Italia do të luajë me Spanjën në gjysmëfinalen e parë, të mërkurën, ndeshje kjo që zhvillohet në stadiumin “San Siro” në Milano. Është kjo një përsëritje e duelit gjysmëfinal të Kampionatit Evropian, në të cilin ekipi i Luis Enriques u eliminua pas gjuajtjes së penalltive.
Gjysmëfinalja tjetër, të enjten, përfshin kampionen e botës, Francën, që përballet me Belgjikën, përfaqësuesen e renditur në pozitën e parë në ranglistën e FIFA-s. Belgjika mbetet e para në ranglistë, pavarësisht se u eliminua nga Italia në “Euro 2020”.
Italia ka qenë në nivel të lartë në një verë të paharrueshme ku u shpall kampione e Evropës, pasi e mposhti Përfaqësuesen e Anglisë në finalen e luajtur në stadiumin “Wembley” në Londër. Përzgjedhësi Mancini është bazuar kryesisht te heronjtë e atij turneu për “Final Four” të Ligës së Kombeve, duke zgjedhur fillimisht 22 lojtarë nga ekipi i tij në Evropian, por që e ka shtuar edhe mesfushorin e Romës, Lorenzo Pellegrini, që këtë sezon është në formë fantastike.
Mancini për ndeshjet e Ligës së Kombeve ka qenë i detyruar të heqë dorë nga sulmuesi Ciro Immobile, i cili ka marrë një dëmtim në kofshë. Në vend të tij e ka ftuar sulmuesin e Juventusit, Moise Kean. Kean shkëlqeu në ndeshjen e fundit të Italisë, kur shënoi një gol në fitoren 5:0 ndaj Lituanisë në sfidën kualifikuese të Botërorit “Katari 2022” të zhvilluar muajin e shkuar. Rafael Toloi i Atalantas është gjithashtu i dëmtuar, me Davide Calabrian e Milanit që është ftuar për ta zëvendësuar.
“Spanja ishte ekipi ndaj të cilit kemi vuajtur më së shumti në Kampionatin Evropian. Është një skuadër me lojtarë fantastikë dhe do të jetë një ndeshje e mirë dhe shumë e fortë. Mirëpo këtë herë do të jetë krejtësisht ndryshe, pra një ndeshje tjetër që nuk ka të bëjë me Evropianin. Nuk do të jetë lehtë, por luajmë në shtëpi dhe besoj se do ta kemi përkrahjen e madhe të tifozëve”, ka thënë përzgjedhësi i Italisë, Mancini.
Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, po shpreson t’i hakmerret Italisë për eliminimin në gjysmëfinale të “Euro 2020”. Spanja do të jetë pa mesfushorin Pedri që shkëlqeu në Kampionatin Evropian dhe ishte ndër lojtarët kryesorë në ekipin e Enriques. Pedri është i lënduar dhe Enrique e ka zëvendësuar me bashkëlojtarin e tij te Barcelona, 17-vjeçarin Gavi.
“Kjo është një garë të cilën duam ta fitojmë dhe për çudi në gjysmëfinale luajmë kundër kampionit në fuqi të Evropës. Do të jetë ndeshje interesante, Italia do të jetë e motivuar, sepse në tribuna do të ketë shikues. Me padurim e pres këtë takim, ndonëse do të jetë shumë i vështirë për ne. Dëshira është të fitojmë, por mbetet të shihet”, ka paralajmëruar Enrique.
Që nga mëngjesi i së dielës, 31.000 bileta janë shitur për ndeshjen e parë në Milano, me 13.000 bileta të blera për finalen e së dielës që do të luhet në të njëjtin stadium. Si stadiumi “San Siro” ashtu edhe “Allianz Stadium”, do të jenë gjysmë të mbushur për turneun final të Ligës së Kombeve. Legjislacioni aktual i Italisë për COVID-19 lejon që stadiumet e futbollit të mbushen deri në 50 për qind të kapacitetit. Kishte shpresa se kufiri do të lëvizte deri në 75 për qind përpara ndeshjeve të kësaj jave, pasi numri i rasteve ka mbetur kryesisht nën kontroll që nga pranvera dhe gati 80 për qind e popullsisë së Italisë mbi 12 vjeç është e vaksinuar plotësisht.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina, ka pranuar se do të ishte e pamundur të lëshohej mbi 50 për qind të kapacitetit të stadiumit edhe nëse rregullat do të kishin ndryshuar që nga fillimi i tetorit.
“Ne nuk jemi gati, pavarësisht nga ndonjë vendim i qeverisë”, tha Gravina. “Unë tashmë kam thënë se ne nuk mund të shkojmë përtej 50 për qind të kapacitetit në Ligën e Kombeve”.
Franca hyn në turne duke kërkuar ringritjen pas eliminimit në 1/8 e finales në “Euro 2020” nga Zvicra dhe paraqitjeve të dobëta në kualifikimet e Kampionatit Botëror muajin e kaluar.
Fitorja 2:0 ndaj Finlandës në kualifikimet e Botërorit, muajin e kaluar, ishte e para pas një serie prej pesë barazimeve. Përzgjedhësi Didier Deschamps do të jetë pa mesfushorin N’Golo Kante, i cili u infektua me koronavirus para humbjes së Chelseat nga Juventusi (1:0), javën e shkuar në Ligën e Kampionëve. Gjithashtu Franca do të jetë pa Olivier Giroudin që nuk u ftua nga përzgjedhësi Deschamps pas kthimit të sulmuesit Karim Benzema. Veterani Giroud, që është vetëm pesë gola larg nga barazimi i rekordit të gjitha kohërave të Thierry Henryt që realizoi 51 gola me Francën, i mungoi Milanit për ndeshjen e fundit kundër Atalanas për shkak të një problemi në shpinë.
“Kjo nuk mund të fshijë atë që ndodhi në Evropian. Atë eliminimin e kemi lënë tashmë pas vetes. Fokusi ynë është në plejofin e Ligës së Kombeve, të cilin duam ta fitojmë për të kompensuar disi eliminimin në Evropian”, pranoi Deschamps.