Kanadaja tha të enjten se ka vendosur të ulë ndjeshëm objektivat e imigracionit në përpjekje për të “ndalur rritjen e popullsisë”, një ndryshim që pason rënien e mbështetjes së publikut për imigracionin.
Njoftimi vjen pasi popullsia kanadeze u rrit në 41 milionë, e nxitur kryesisht nga një valë e pashembullt imigrantësh.
Ministria e imigracionit kishte planifikuar më parë të lejonte hyrjen e 500,000 banorë të rinj me status të përhershëm në vend në vitet 2025 dhe 2026.
Por objektivi i ri tani parashikon pranimin e 395,000 njerëzve në vitin e ardhshëm dhe 380,000 të tjerëve në vitin 2026. Qeveria kanadeze vendosi si objektiv për vitin 2027 pranimin e jo më shumë se 365,000 mijë imigrantëve.
Ministria e imigracionit tha se qëllimi i planit ishte “të ndalonte rritjen e popullsisë në aspektin afatshkurtër për të krijuar kushte për një rritje të mirë-menaxhuar dhe të qëndrueshme në aspektin afatgjatë”.
“Ndonëse është e qartë se ekonomia jonë ka nevojë për njerëz, ne po shohim se vendi ynë po përballet me trysni të ndryshme, që kërkojnë përshtatjen e politikave me rrethanat e reja”, tha përmes një deklarate Ministri i Imigracionit Marc Miller.
Ministria tha se plani synon gjithashtu të lehtësojë trysninë e krijuar nga rritja e kostos së strehimit. Kanadezët radhisin vazhdimisht koston e lartë të qerasë apo kredisë së shtëpive si një shqetësim kryesor ekonomik.
Ministria vlerësoi se rritja e imigracionit ndihmoi ekonominë kanadeze të dilte nga pandemia koronavirusit, duke shmangur rënien e saj.
Një sondazh muajin e kaluar nga Instituti “Environics” mbi qëndrimet e publikut ndaj imigracionit zbuloi se “për herë të parë në një çerek shekulli, një shumicë e qartë e kanadezëve thanë se ka nivel të lartë të imigracionit”.
Pesëdhjetë e tetë për qind e kanadezëve besojnë se vendi pranon shumë emigrantë, një rritje me 14 për qind krahasuar me të dhënat e sondazhit të vitit 2023. /VOA.