Kryeministri i Mark Carney tha se nuk mund të përjashtojë mundësinë e pjesëmarrjes ushtarake të vendit të tij në luftën që po përshkallëzohet në Lindjen e Mesme, pasi më herët deklaroi se sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit ishin “në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.
Duke folur së bashku me kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese, në Canberra të enjten, Carney u pyet nëse ekziston një situatë në të cilën Kanadaja mund të përfshihej në konflikt.
“Nuk mund të përjashtohet kategorikisht pjesëmarrja,” tha Carney, duke shtuar se pyetja ishte “hipotetike”. “Ne do të qëndrojmë pranë aleatëve tanë,” tha ai, duke shtuar se “ne gjithmonë do t’i mbrojmë kanadezët”.
Carney kishte deklaruar më herët se i mbështeste sulmet ndaj Iranit “me njëfarë keqardhjeje”, duke thënë se ato përfaqësonin një shembull ekstrem të prishjes së rendit botëror.
Kryeministri kanadez theksoi gjithashtu se vendi i tij nuk ishte informuar paraprakisht për sulmin e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, në komentet e tij të para që nga nisja e luftës të shtunën.
“Nuk u informuam paraprakisht dhe nuk na u kërkua të merrnim pjesë,” u tha Carney gazetarëve që udhëtonin me të në Australi të mërkurën.
“Në shikim të parë, duket se këto veprime janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare,” tha ai.
“Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë vepruar pa përfshirë Kombet e Bashkuara dhe pa u konsultuar me aleatët, përfshirë Kanadanë,” shtoi. Ai gjithashtu dënoi sulmet ndaj civilëve në Iran dhe bëri thirrje që “të gjitha palët të respektojnë rregullat e angazhimit ndërkombëtar”.
Nëse sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare, tha ai, “është një gjykim që duhet ta bëjnë të tjerët”.
Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Anita Anand, tha të mërkurën se po bëhen përpjekje për të ndihmuar më shumë se 2,000 kanadezë që kanë kërkuar ndihmë nga qeveria për t’u larguar nga rajoni i Lindjes së Mesme që nga shpërthimi i luftës të shtunën.
Sipas saj, rreth gjysma e kërkesave për ndihmë janë nga kanadezë në Emiratet e Bashkuara Arabe, më shumë se 230 nga Katari, të paktën 160 nga Libani, mbi 90 nga Izraeli dhe 74 nga Irani.
Ministria e Jashtme e Kanadasë është udhëzuar të kontraktojë fluturime çarter nga Emiratet e Bashkuara Arabe në ditët në vijim, nëse qeveria e këtij vendi miraton përdorimin e hapësirës ajrore.
Trafiku ajror komercial pothuajse mungon në pjesë të mëdha të rajonit, ndërsa qendrat kryesore të fluturimeve në Gjirin Persik, përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, aeroportin më të ngarkuar në botë për pasagjerë ndërkombëtarë, janë kryesisht të mbyllura për shkak të konfliktit. Kjo konsiderohet ndërprerja më e madhe e udhëtimeve që nga COVID-19.
Fluturimet e riatdhesimit të organizuara nga qeveri të huaja, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, pritej të niseshin të mërkurën dhe të enjten, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe hapën korridore të sigurta ajrore për të lejuar disa qytetarë të kthehen në shtëpi.


