Kryeministri Edi Rama kërkoi sot ndjesë për ata që kanë pasur problem me aplikacionin online, por, theksoi ai, “tani gjërat janë vënë në vijë dhe duhet të keni pak durim”.
Rama gjithashtu nënvizoi se, “si sot, si nesër Policia e Shtetit do të jetë fleksibël dhe do të ndihmojë për sensibilizimin, për mirëkuptimin pa filluar menjëherë me sanksionet, duke pasur parasysh se shumëkush me të drejtë mund të thotë që e pata të vështirë që të fus aplikacionin në punë dhe të merrte autorizimin”.
Kryeministri gjithashtu deklaroi sot se, “që kur ka nisur kanali i urgjencës në platformën e bashkëqeverisjes kemi komunikuar me 16172 persona falë një skuadre me mbi 200 persona që ndjekin çdo kërkesë, ankesë, shqetësim, sinjal që ju dërgoni në këtë platform”.
“Kjo është një situatë shumë e vështirë, por ku po e shikoni se të dhënat nga terreni i luftës, po na japin të drejtë të gjithëve ne që po rezistojmë dhe po i nënshtrohemi masave shtrënguese. Kjo është pak, por e sigurt”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi durim nga qytetarët. “Nëse keni çuar sinjalin në këtë platformë brenda 24 orëve, në ndonjë rast pak më shumë se kaq, çështja juaj do të trajtohet me shumë vëmendje dhe do të zgjidhet”.
“16172 telefonata janë volum i madh ndërveprimi dhe komunikimi. Kam këtu me vete një pjesë të vogël të të gjithë rasteve të panumërta që kemi zgjidhur, që nga rastet kur kërkoni asistencë, siç është një zonjë nga Berati Valentina Doraci kërkon ndihmë pasi jeton vetëm se fëmijët i ka në emigracion. Apo kemi një rast të dikujt në shtëpinë tuaj që ka nevojë për një rekomandim mjekësor, apo vizitë të shpejtë mjekësore, siç është rasti i Hamza Sulollarit, për bijën e tij 18 vjeçare. Apo kur rasti e sjell që të ketë një nevojë për ndihmë direkte ushqimore siç është rasti i Kujtim Martës në bashkinë e Prrenjasit apo rasti i Nevil Dashballës në zonën e Librazhdit”, tha Rama.
Kryeministri tha gjithashtu se të dhënat nga terreni i luftës po na japin të drejtë të gjithëve ne, të gjithëve që po i rezistojmë dhe po i nënshtrohemi masave shtrënguese.
Rama kërkoi nga qytetarët, “Rezistencë, rezistencë, rezistencë. Po ecim relativisht mirë sepse e mira do të ishte të mos kishim fare as të infektuar, as humbje jetësh po kjo është diçka që do të ndodhte vetëm në një botë ideale. Kjo është luftë dhe luftë pa viktima, luftë pa plagë nuk ka. Ajo që duhet të bëjmë është që të kemi sa më pak nga të dyja duke u ulur ato që mund të ishin shifra katastrofike në rast se nuk do të merrnim masa, në rast se nuk do të rezistonim, në rast se nuk do të vetëdijësoheshim dhe nuk do të mblidhnim mendjen se kjo është luftë për ekzistencë. Duhet të ekzistojmë në mënyrë që nesër të ecim përpara përsëri”./ATSH/