Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se do të angazhohet me këmbëngulje që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndodh sa më shpejt.
Këtë deklaratë Scholz e ka bërë në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pas takimit që kanë zhvilluar në Berlin.
“Përparim i mëtejshëm duhet të bëhet në liberalizmin e vizave për Kosovën. Për këtë angazhohem në Bashkimin Evropian me këmbëngulje”, ka thënë kancelari gjerman, përcjell Telegrafi.
Ndërsa, kryeministri Kurti ka kërkuar nga kancelari Scholz që Gjermania të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Edhe dy muaj bëhen katër vite prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë. Është koha të thuhet se mjaft është mjaft. Kjo çështje duhet të vendoset në Këshillin e BE-së pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, dhe është radha që edhe BE të kryej detyrat e saj”, tha ai.
Pas takimit të Scholzit me Kurtin, kancelari gjerman do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Më pas, dy liderët pritet të takohen bashkë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi,Miroslav Lajçak.
Më herët, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se takimet, mes tjerash, “do të shërbejnë për të mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga BE-ja”.
Takimi i sotëm do të jetë i pari midis Kurtit dhe Vuçiqit që nga korriku i vitit të kaluar, kur palët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.