Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dënoi veprimet e Rusisë, duke thënë se Europa “nuk do të pranojë këtë shkelje të sovranitetit të Ukrainës”.
Në një dalje para gjermanëve me një mesazh televiziv të regjistruar, Scholz shtoi: “Me sulmin ndaj Ukrainës, Presidenti Putin dëshiron të kthejë kohën mbrapsht, por nuk kemi për t’u kthyer në shekullin XIX, kur fuqitë e mëdha vendosnin mbi kokat e shteteve më të vogla. Nuk do të kthehemi në kohën e Luftës së Ftohtë, kur superfuqitë ndanin botën mes tyre në zona influence”.
Në fjalën e tij, Scholz tha se Bashkimi Europian kishte shpresuar se përpjekjet diplomatike do të jepnin rezultat, por “ne nuk jemi naivë”, tha ai.
Scholz tha gjithashtu se Bashkimi Europian është gati të vendosë sanksione të reja kundër Rusisë dhe konfirmoi se Moska do të paguajë “një çmim të lartë” për veprimet e veta në Ukrainë.