Kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla është rizgjedhur kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës në 4 vitet e ardhshme.
Edison Memolla kryesoi bindshëm ndaj kandidatit të “Bashkë Fitojmë” Shkëlqim Hoxha duke marrë shumicën e votave të qytetarëve.
Rrogozhina mbajti zgjedhjet e pjesshme lokale vetëm për kryetarin e Bashkisë pasi Kolegji rrëzoi rezultatin e 14 majit për këtë zonë zgjedhore, pas kundërshtive të opozitës, që provoi në gjykatën zgjedhore se rezultati i shpallur nga KQZ dhe Komisioni i Sanksioneve ishte i cenueshëm.
Shkak për ripërsëritjen e procesit u bë kutia e votimit në institucionin e vuajtjes së dënimit në Rrogozhinë, ku rezultoi se numri i votave ishte më i madh se ai i diferencës mes dy kandidatëve.
Në zgjedhjet e 14 majit, Memolla mundi të marrë 50.11% të votave, duke mundur në këtë garë elektorale kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha, i cili grumbulloi 49.89% të votave.
Për RTSH 24, kandidati i PS Edison Memolla, tashmë i zgjedhuri si kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës falënderoi të gjithë mbështetësit e tij. Sipas tij rezultati ishte një tregues i punës së mirë që është bërë.
“Falenderoj mbështesitit e mi, popullin e Rrogozhinës të majtë dhe të djathë dhe të të gjithë atyre që besuan. Këto zgjedhje shërbyen për të nxjerrë në pah gabimet dhe për të përmirësuar punën tonë në vijim. Kemi punuar gjate kësaj kohe dhe rezultati ishte një tregues i kësaj pune. Zhvillimi i turizmit është një nga prioritetet”, u shpreh ai, pak pas shpalljes së fitores.