Një aksion i Agjencisë Britanike të Krimit ka vënë në pranga pesë shtetas të kombësive të ndryshme, pasi do të trafikonin drejt Britanisë së Madhe 69 emigrantë shqiptarë, mes të cilëve dy gra shtatzëna.
Sipas skemës që ata do të përdornin, shuma e përllogaritur e fitimit shkonte deri në 1 milion paundë.
Anija e transportit të mallrave “Svanic”, e ndërtuar rreth 60 vjet më parë, kishte kryer shumë lundrime, por qëllimi i saj asnjëherë nuk kish qenë të transportonte emigrantë të jashtëligjshëm.
Agjencia britanike filloi të nuhaste skemën kur anija ndaloi në Suedi. Një ndalim i pajustifikuar u bë në një port suedez përpara mbërritjes në ishull. Më pas, me një kontroll të bërë në mbërritje, u gjetën edhe 69 emigrantët shqiptarë.
Përkatësisht, ishin 72 njerëz në bord dhe vetëm 20 xhaketa shpëtimi.
Ajo çfarë u zbulua më pas, ishte një skemë e tërë kriminale. Nëpërmjet një laptopi të sekuestruar, Policia arriti të identifikojë një bandë të gjerë kriminale në Britaninë e Madhe. Përpjekja e këtij operacion në fakt, ishte ngjizur pikërisht nga kjo bandë.
Menjëherë u morën masat ndërkaq, për arrestimin e pesë personave.
Kryesori, Arturas Jusas, u gjet me të mbathura në kabinën e tij, ku nuk iu fsheh dot krimit dhe e pranoi atë menjëherë.
Dy shtetas britanikë, u arrestuan si pjesë e bandës kriminale të bazuar në Angli. Ndërsa, një shtetas letonez dhe një ukrainas, ishin pjesë e ekuipazhit, duke i bërë kështu bashkëpunëtorë në krim.
Në tërësi, dënimi për ta do të shkojë në 35 vjet burg.
Sakaq, emigrantët shqiptarë janë dërguar në zyrën britanike të migracionit për veprime të mëtejshme. Nuk dihet ende nëse ata do të rikthehen ose jo në atdhe.