Në 15 prill të këtij viti, Agjencia federale në Gjermani njoftoi se 5 anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik u arrestuan në shtetin e Rhein-Westfalisë për planifikimin e sulmeve terroriste kundër forcave amerikane.
“Ata së bashku themeluan një grup në Gjermani. Ata fillimisht kishin planifikuar të udhëtonin në Taxhikistan për të marrë pjesë në luftimet kundër qeverisë si pjesë e “xhihadit të armatosur”. Pasi të akuzuarit nuk ishin përmbajtur nga ky projekt, ata synonin të kryenin sulme fatale në Gjermani”. Kjo ishte deklarata e prokurorit të çështjes, e përfshirë në dosjen hetimore.
Por, çfarë lidhje ka ky fakt me Shqipërinë?! E gjitha u zbardh këtë të enjte. Policia shqiptare, pas informacioneve nga Gjermania dhe të dhënave që u siguruan nga agjentët e antiterrorit ranë në gjurmët e të riut taxhikistanas, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në fakt, nuk kishte shumë të dhëna nëse ai ndodhej apo jo në Shqipëri, por prokurorët gjykuan se për shkak të grupit të arrestuar në Gjermani që kishte planifikuar një vepër terroriste në Shqipëri ngritën dyshimet e arsyeshme për fshehjen e tij në vendin tonë.
Terroristi Komron Zukhurov kishte mbërritur nga aeroporti i Rinasit në Shqipëri dy muaj e gjysmë më parë. Si bazë për strehimin e tij ka shërbyer një familje nga Taxhikistani, por me dokumentacion të rregullt në Shqipëri.
Kjo bëri, që Policia pasi mori informacion për dyshimet e fshehjes së tij në Shqipëri mbajti nën vëzhgim familjet taxhikistaneze me qëndrim të përhershëm në vendin tonë.
Zukhurov ishte shpallur në kërkim nga Interpol pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar për veprën penale “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS).
Zukhurov ka mundur që të vijë në Shqipëri në mënyrë legale dy muaj e gjysmë më parë, para se Gjermania ta shpallte atë në kërkim ndërkombëtar. Prokurori i Përgjithshëm i Taxhikistanit ka akuzuar Komron Zukhurov si anëtar të artisë së Rilindjes Islamike të Taxhikistanit (IRPT), forcë politike në opozitë e konsideruar si organizatë terroriste edhe nga Bashkimi Europian. Anëtarë të tjerë të të njëjtës organizatë janë përjashtuar nga territori i BE me të njëjtën akuzë.
I arrestuari në Tiranë është pjesë e celulës terroriste që u krijua në janar të vitit 2019 dhe kishte planifikuar të sulmonte forcat amerikane në Gjermani, si dhe individë të tjerë.
Madje, grupi në të cilin i riu nga Taxhikistani ai bënte pjesë kishte planifikuar një akt terrorist në Shqipëri për vlerën e 40 mijë dollarëve, si një mundësi financimit për organizatën terroriste.