Kreu i njërës prej bandave më të mëdha të trafikut të drogës në Ekuador është kapur në një operacion ku është përfshirë policia spanjolle, tha presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa.
Wilmer “Pipo” Chavarria, kreu i Los Lobos, u arrestua në qytetin e Malagas, sipas Policisë Kombëtare të Spanjës.
Presidenti Noboa tha se Chavarria kishte falsifikuar vdekjen e tij, kishte ndryshuar identitetin dhe ishte fshehur në Evropë, ndërkohë që vazhdonte të kontrollonte operacionet kriminale në Ekuador, duke përfshirë minierat e paligjshme dhe urdhërimin e vrasjeve.
Familja e tij kishte pohuar në vitin 2021 se ai kishte vdekur nga një atak në zemër për shkak të Covid-it.
Si Ekuadori ashtu edhe SHBA-të e kanë shpallur Los Lobos një organizatë terroriste.
Në një postim në X , ministri i brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg, i cili tha se ishte në Spanjë me policinë, tha se kapja e Chavarrias ishte një “ditë historike” për vendin e tij.
Los Lobos vlerësohet të ketë 8,000 anëtarë dhe është një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Ekuador.
Në qershor 2024, Thesari i SHBA-së sanksionoi bandën dhe e përshkroi atë si një grup me “mijëra anëtarë” që kishte kontribuar ndjeshëm në rritjen e dhunës në Ekuador.
Dhuna dhe vrasjet janë rritur ndjeshëm në Ekuador vitet e fundit, pasi ky vend është bërë një qendër e madhe e trafikimit të kokainës dhe bandat rivale konkurrojnë për kontroll. Ekuadori nuk e prodhon drogën, por ndodhet pranë vendeve të mëdha prodhuese të drogës, si Peruja dhe Kolumbia.




