Ambasada e Republikës së Kosovës në Doha ka njoftuar të gjithë qytetarët se, për shkak të rrethanave aktuale dhe kufizimeve të përkohshme të udhëtimit, autoritetet e Shtetit të Katarit kanë vendosur që të mbulohen shpenzimet e akomodimit në hotel për turistët që janë bllokuar dhe nuk mund të largohen nga vendi.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se ky vendim hyn në fuqi nga data 28 shkurt dhe do të mbetet në fuqi deri në rifillimin e operacioneve në aeroport dhe rihapjen e hapësirës ajrore.
“Ambasada i rekomandon qytetarëve tanë që të qëndrojnë të qetë, të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve katariane dhe të shmangen lëvizjet e panevojshme. Ambasada do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet dhe do t’ju mbajë të informuar për çdo informacion shtesë”, thuhet në njoftim.


