Koncesionet në sektorin e shëndetësisë mbetën një faturë e konsiderueshme për buxhetin edhe në vitin 2024, refrtuar të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave.
Katër kontratat kryesore koncesionare në shëndetësi: sterilizimi kirurgjikal, kontrolli mjekësor bazë (Check-Up), hemodializa dhe shërbimet laboratorike janë financuar pothuajse në nivel të plotë sipas planifikimit vjetor, me realizime që luhaten nga 97% deri në 100%.
Në total, këto katër kontrata kanë përthithur disa miliardë lekë nga buxheti i shtetit, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimeve jetësore për pacientët, por duke ngritur njëkohësisht nevojën për monitorim të vazhdueshëm të kostove, performancës dhe riskut fiskal afatgjatë.
Sterilizimi kirurgjikal: realizim pothuajse i plotë dhe mbirealizim i ndërhyrjeve
Koncesioni për shërbimet e integruara të sterilizimit kirurgjikal, që përfshin instrumentet e personalizuara, materialet sterile njëpërdorimëshe, trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale, është shtrirë në të gjitha spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake në vend.
Gjatë vitit 2024, pagesat e kryera nga buxheti i shtetit për këtë kontratë arritën në rreth 1.76 miliardë lekë, me një realizim prej 99.98% të planifikimit mesatar ndër vite. Ndërkohë, shërbimi i sterilizimit është ofruar për 65,302 ndërhyrje kirurgjikale, nga 63,600 të planifikuara, ose rreth 103% e planit vjetor.
Çmimi mesatar për një ndërhyrje kirurgjikale gjatë vitit 2024 rezulton 26,888 lekë, një tregues që ka shfaqur luhatje ndër vite dhe që, sipas të dhënave, kërkon monitorim më të kujdesshëm nga autoriteti kontraktues për të shmangur rritje të pakontrolluara të kostove për buxhetin.
Check-Up: pagesë fikse, pavarësisht nivelit të përfitimit
Koncesioni për kontrollin mjekësor bazë për grupmoshat 35–70 vjeç mbetet një nga kontratat me strukturën më të veçantë financiare. Sipas kontratës, shteti garanton një pagesë minimale vjetore prej 730 milionë lekësh (pa TVSH), e cila mbetet e pandryshuar edhe në rast se numri i analizave nuk arrin nivelin e parashikuar prej 475 mijë përfituesish në vit.
Për vitin 2024, pagesat buxhetore për këtë kontratë arritën në 876 milionë lekë, ose rreth 100% e planifikimit, ndërkohë që numri real i përfituesve ishte 461,376 persona, ose 97% e planit vjetor. Programi ka garantuar standardizim të shërbimit në të gjithë territorin dhe ka reduktuar pabarazitë urbane-rurale në aksesin ndaj kontrollit shëndetësor bazë, por modeli financiar vijon të mbetet objekt diskutimi për shkak të pagesës së garantuar edhe kur shërbimi nuk shfrytëzohet plotësisht.
Hemodializa, mospërputhje mes planit dhe realizimit
Koncesioni për ofrimin e shërbimit të hemodializës, i cili mbulon disa spitale rajonale, ka vijuar operimin normal edhe gjatë pandemisë, duke u konsideruar shërbim jetësor për pacientët. Gjatë vitit 2024, pagesat e kryera nga buxheti i shtetit arritën në rreth 894 milionë lekë, nga 920 milionë lekë të planifikuara, ose 97% e planit.
Nga ana e ofrimit të shërbimit, gjatë vitit 2024 janë trajtuar mesatarisht 478 pacientë, nga 510 të planifikuar, ndërsa numri i seancave të realizuara ishte 69,825, kundrejt 79,560 seancave të parashikuara, ose 88% e planifikimit. Këto të dhëna tregojnë një diferencë të dukshme mes projeksioneve dhe realizimit real, duke ngritur nevojën për rishikim më realist të parashikimeve dhe kërkesës për shërbim.
Shërbimet laboratorike, koncesioni në 18 spitale publike
Koncesioni për shërbimet laboratorike mjekësore është shtrirë në 18 spitale publike dhe ka sjellë një zgjerim të ndjeshëm të gamës së analizave, nga rreth 50–100 ekzaminime më parë, në 164 ekzaminime standarde sot. Për vitin 2024, qeveria kishte planifikuar 1.85 miliardë lekë, nga të cilat janë paguar 1.80 miliardë lekë, ose rreth 97% e planit.
Një nga përfitimet kryesore të këtij koncesioni është ngritja e sistemit të parë të integruar të digjitalizimit të analizave laboratorike në të gjithë rrjetin spitalor publik, duke garantuar standarde të njëjta shërbimi edhe në spitalet rajonale dhe bashkiake dhe duke reduktuar varësinë e pacientëve nga shërbimet private.
Rreziqet dhe barra afatgjatë për buxhetin
Të dhënat e vitit 2024 tregojnë se koncesionet në shëndetësi po funksionojnë pa ndërprerje dhe me realizim të lartë financiar, por gjithashtu nënvizojnë nevojën për monitorim më të fortë të kostove për njësi, rishikim të projeksioneve të kërkesës dhe vlerësim më të thelluar të eficiencës së përdorimit të fondeve publike, në mënyrë që barra fiskale afatgjatë të mbetet e përballueshme. Ndërkohë, dy nga koncesionet u përfundoi kontrata në 2025 dhe për kontratën e sterilizimit, qeveria vendosi ta shtetëzojë.
Marrë nga Ekofin.al

