“Kathimerini”: Takimi i Ramës me ambasadoren amerikane në Athinë, për investimin greko-amerikan 1 miliard € në minierën e Bilishtit

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Gazeta e njohur greke “Kathimerini” zbardh arsyet e takimit që ambasadorja amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle zhvilloi disa ditë më parë me kryeministrin Edi Rama në Tiranë.
Vetë kreu i qeverisë shqiptare u shpreh pas takimit se biseda u përqendrua tek interesat amerikane në rajon. “Ambasadorja erdhi për një takim njohjeje, për të diskutuar disa çështje të interesit të lartë amerikan në rajon, që lidhen me energjinë, bashkëpunimin rajonal dhe qasjen ndaj forcave të treta. Ambasadorja e SHBA në Athinë është një përfaqësuese e njohur në politikën amerikane,” tha Rama gjatë një konference për shtyp.

Ndërkohë, sot Kathimerini flet për një investim greko-amerikan në sektorin minerar që mund të realizohet në Shqipëri. “Marrëveshja kuadër e nënshkruar me BNI Foundation lidhet me bashkëpunimin ekskluziv për kërkimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve minerare kritike në vendin fqinj (Shqipëri), veçanërisht të nikelit dhe kobaltit. Burimet shpjegojnë se ky zhvillim vendos de facto një kompani greke në qendër të përpjekjeve evropiane dhe amerikane për sigurimin e lëndëve të para kritike, sidomos atyre të nevojshme për prodhimin e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike,” shkruan Kathimerini.

Marrëveshja parashikon krijimin e një kompanie të përbashkët sipas legjislacionit shqiptar, ku grupi AKTOR do të zotërojë 51% përmes filialeve të tij, AKTOR Metal, dhe 49% BNI Foundation përmes filialeve të saj. BNI Foundation, pjesë e një organizate me aktivitete të ndryshme në energji, shëndetësi dhe turizëm në Ballkan, do të kontribuojë me të drejtat dhe licencat minerare që tashmë zotëron. “Vlera e investimit, në fazën e zhvillimit të plotë, parashikohet të arrijë 1 miliard euro. Është e rëndësishme që financimi do të mbështetet kryesisht në kapital amerikan, ndërsa projekti do të përfitojë këshillim teknik dhe mbështetje nga kompani me seli në SHBA. Pjesëmarrja e faktorëve amerikanë nënvizon rëndësinë e projektit për zinxhirin furnizues perëndimor dhe shpjegon përfshirjen e AKTOR-it, i cili ka zhvilluar më parë marrëdhënie tregtare me kompani amerikane, për shembull në tregtinë e gazit natyror të lëngshëm. Interesi investues i kësaj iniciative greko-amerikane është i fokusuar në zonën e Bilishtit,” vijon shkrimi i “Kathimerini”.

Sipas “Kathimerini”, njoftimi i marrëveshjes mes AKTOR dhe kompanisë amerikane lidhet me vizitën e disa ditëve më parë në Tiranë të drejtuesit të grupit AKTOR, Aleksandros Eksarhos, i shoqëruar nga ambasadorja amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, gjatë së cilës u zhvillua takimi me kryeministrin Edi Rama.

Share This Article