Mbrëmjen e së shtunës besimtarët katolikë kanë kremtuar festën e Pashkëve. Mesha e shenjtë që u drejtua nga Imzot Arjan Dodaj në nderim të ringjalles së Jezu Krishtit, u mbajt në Katedralen e Shën Palit në Tiranë.
Mbrëmja konsiderohet si e shtuna e madhe për katolikët të cilët këtë të diel festojnë Pashkët. Shumë qytetarë ditën iu drejtuan katedraleve dhe kishave në qytete të ndryshme të vendit, ku pati edhe turistë të huaj që kishin ardhur për të kremtuar festën e shenjtë.
Kryeipeshkëvi i metropolit Tiranë-Durrësit bëri thirrje që njerëzit të fokusohen më shumë në fjalën e shenjtë dhe të ndjekin mesazhin e Krishtit.
“Duke ndjekur Krishtin dhe duke mbajtur vështrimin e zemrës tonë të fiksuar pas Krishtit, gjejmë rrugën e duhur. Të ndjeklim Krishtin do të thotë të jemi të vëmendshëm ndaj fjalës së tij. Njeriu nuk jeton vetëm me bukën, me karrierën por me fjalën e hyjtë që na tregon të vërtetën për botën dhe shoqërinë. Fjala e hyjtë është buka e qiellit që na mëson si të jetojmë jetën për të qenë njerëz të vërtetë.” – tha ndër të tjera Imzot Arjan Dodaj.
Kjo konsiderohet e shtuna e madhe për katolikët të cilët sot festojnë Pashkët. Shumë prej tyre që në orët e para të ditës së shtunë u janë drejtuar katedraleve dhe kishave në Shkodër, Lezhë e Krujë për të bekuar ushqimin që do të jetë në tryezën e të Dielës së Pashkës.
Lutjet e bekimet në këtë ditë të rëndësishme të kalendarit të krishterë u përhapën jo vetëm në katedralen e Shën Palit në Tiranë, por kudo në qytetet e tjera të Shqipërisë me meshat e organizuara. Festa e ringjalljes është më e rëndësishmja në kalendarin e krishterë.