Kombëtarja e Kosovës në futboll ka njoftuar se ka ndërruar dy nga katër rivalët për ndeshjet miqësore të qershorit.
Kosova kishte planifikuar të luante ndeshje miqësore me Kazakistanin në “Fadil Vokrri” më 4 qershor, por kombëtarja nuk është lejuar të udhëtojë nga qeveria e Kazakistanit.
Kazakistani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kjo është arsyeja që qeveria nuk e ka lejuar ekipin të udhëtojë në Kosovë.
Edhe pse tash e pesë vite jemi të pranuar në FIFA dhe UEFA me të drejta të plota, politika vazhdon të ndikojë.
I kontaktuar nga Gazeta Express, sekretari gjeneral i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu tha se me Federatën e Futbollit të Kazakistanit kanë raporte shumë të mira.
“Besoj që po”, theksoi Salihu kur u pyet nëse anulimi i ndeshjes ka ndodhur për shkak që Kazakistani nuk e njeh Kosovën.
“Si Federata kemi raporte shumë të mira”, tha për Express Eroll Salihu.
Në vend të Kazakistanit, në atë datë Kosova do të luajë ndeshje miqësore me Maltën në Austri.
Ndërkohë, miqësorja tjetër e paraparë për t’u zhvilluar në Antalia më 8 qershor kundër Komorosit, do të zëvendësohet me Guinenë, pasi Komorosi për shkak të restrikcioneve për hyrje në Turqi si pasojë e Covid-19, e ka të pamundur të udhëtojë në këtë datë në Antalia.