“K’cimi i Tropojës” është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit nga UNESCO.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale e cilësoi këtë arritje si të jashtëzakonshme.
“Pas vlerësimit pozitiv nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Asuncion, Paraguaj, ‘K’cimi i Tropojës’ është tashmë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit,” shkroi ministri Gonxhja.
Ky vlerësim nderon një trashëgimi kulturore që përcjell ritmet, emocionet dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Tashmë, kjo traditë e çmuar është njohur në nivel global si një thesar kulturor, duke përfaqësuar vlerat dhe historinë e pasur të vendit tonë.
Një tjetër hap i rëndësishëm drejt promovimit dhe mbrojtjes së kulturës shqiptare, i cili na bën të ndihemi edhe më krenarë për identitetin tonë kombëtar!