Efikasitetin e gjykatave në Kosovë e ka vënë në pikëpyetje katër ekspertët e Komisionit Evropian, të cilët në muajin nëntor të vitit të kaluar, kanë qëndruar në Kosovë për të bërë vlerësimin e punës së institucioneve të drejtësisë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas raportit të siguruar nga “Koha Ditore”, shumë nga akuzat “vdesin” në gjykatë, për shkak të zvarritjes së procedurave. Ky raport ka identifikuar probleme të ndryshme të gjykatave në Kosovë.
Gjyqtarët, sipas këtij dokumenti, nuk i menaxhojnë proceset gjyqësore në mënyrë efikase, nuk zbatohet gjithmonë në mënyrë të drejtë ligji, kanë mungesë të aftësive profesionale dhe frikësohen t’i ndjekin krimet serioze, siç janë rastet e politikanëve të fuqishëm që akuzohen për korrupsion ose krim të organizuar.
Gjyqtarët në Kosovë, sipas raportit, veçanërisht kanë problem në aplikimin e ligjit penal, në mënyrë të saktë, kur bëhet fjalë për krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Problem tjetër është mënyra se si bëhen marrëveshje për pranimin e fajësisë. Edhe në këtë pikë, dokumenti identifikon probleme në aplikimin e drejtë të ligjit nga gjyqtarët.
Raporti identifikon edhe mungesën e njohurive të gjyqtarëve për interpretimin e ligjit penal si dhe frikën e tyre që të trajtojnë rastet e korrupsionit të profilit të lartë. Kritikohet po ashtu, mënyra e ndarjes së rasteve tek trupat gjykuese.