Disa ditë më parë e përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitun”, zbardhi një plan mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç për një model gradual integrimi në Bashkimin Europian ka nxitur debat mbi efektet reale të tij.
Lidhur me këtë propozim dyshja Rama-Vuçiç, ka pasur edhe një reagim nga Bashkimi Evropian. Për A2 CNN, një zëdhënës i Komisionit tha se zgjerimi është prioritet kyç i Bashkimit Europian.
“Siç e dini, ne kurrë nuk komentojmë mbi komente dhe nuk komentojmë mbi spekulime. Le të kujtojmë se zgjerimi është një prioritet kyç për këtë Komision. Ai është një nga mjetet më të fuqishme të BE-së për stabilitet, siguri dhe prosperitet të përbashkët. Ne jemi plotësisht të angazhuar për ta bërë zgjerimin realitet. Për këtë qëllim, ne mbështesim vendet e zgjerimit me të gjithë asistencën e nevojshme politike, ekonomike dhe teknike. Integrimi gradual tashmë po sjell përfitime konkrete edhe përpara anëtarësimit”, tha Komisioni Europian.
Në editorialin e publikuar, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç argumentuan se kushtëzimi i zgjerimit me reforma paraprake të Bashkimit Europian rrezikon ta zvarrisë procesin dhe të krijojë perceptimin e një dere të mbyllur për vendet aspirante.
“Politikanë kryesorë në Paris, Berlin dhe gjetkë kanë theksuar se reforma të brendshme mund të jenë të nevojshme për të siguruar që një BE e zgjeruar të mbetet e aftë për veprim vendimtar. Ne nuk jemi naivë. Këto argumente kanë peshë. […] Megjithatë, t’u thuash anëtarëve të ardhshëm se duhet të presin reformat e BE-së përpara se të bashkohen do të ishte e barasvlershme me mbylljen e derës: edhe më shumë fjalime solemne ku riafirmohet angazhimi për pranimin e anëtarëve të rinj, ndërkohë që në fakt ndodh pak ose aspak. Kjo do të ishte e gabuar, kundërproduktive dhe madje e rrezikshme në këto kohë”, shkruanin Rama dhe Vuçiç në editorial.


