KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Komisioni Evropian ka vlerësuar në mënyrë pozitive përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në përmbushjen e reformave, duke përsëritur rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të dyja vendet.

Dokumenti, të cilin e ka parë “Radio Evropa e Lirë”, thotë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë rritur përpjekjet e tyre dhe kanë treguar rezultate të mëtejshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore.

“Prandaj, baza e rekomandimit të Komisionit e vitit 2019 për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është ende e vlefshme,” thuhet në dokumentin e Komisionit Evropian.

Me një konstatim të tillë të Komisionit Evropian dhe së bashku me metodologjinë e porsamiratuar për negociatat e pranimit, largohen të gjitha pengesat për një pajtim të vendeve anëtare në procesin e hapjes së negociatave të pranimit me Shkupin dhe Tiranën.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili bllokoi një vendim pozitiv në samitin e tetorit 2019, ka deklaruar rishtaz se ai do të hiqte dorë nga vetoja nëse rezultatet e raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të ishin pozitive.

“Ne jemi duke e pritur raportin në muajin mars dhe nëse rezultatet janë pozitive, atëherë ne duhet të jemi në gjendje të hapim negociatat”, deklaroi Macron në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Sipas raportit të Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut ka treguar rezultate konkrete në zbatimin e vazhdueshëm të reformave të lidhura me BE-në dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

“Sa iu përket reformave, ky shtet është përqendruar veçanërisht në fushat e identifikuara në konkluzionet e Këshillit të BE-së, të cilat përfshijnë reformat në gjyqësor, si dhe hetimet pro-aktive, ndjekjet penale dhe gjykimet përfundimtare në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë ato të nivelit të lartë”, thuhet në përfundimet e raportit.

Për Shqipërinë, në raport thuhet se vendi ka treguar rezultate konkrete në zbatimin e vazhdueshëm të reformave të BE-së.

“Veçanërisht në lidhje me fushat e identifikuara në konkluzionet e Këshillit të BE-së, përparimi është bërë si më poshtë: përmirësimi i mëtutjeshëm i procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti plotësimi i të gjitha dosjeve prioritare”, thuhet në dokument.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, BE-ja dështoi të arrinte ujdi dhe të miratonte hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me gjithë rekomandimin e pakushtëzuar të Komisionit Evropian, i cili konsideroi se të dy vendet plotësuan të gjitha kushtet e nevojshme. Franca, e cila bllokoi vendimin, e kushtëzoi nisjen e këtij procesi me ndryshime në qasjen në negociatat e anëtarësimit.

Në fillim të shkurtit, Komisioni Evropian prezantoi një metodologji të re, e cila do të zbatohet për vendet që do të fillojnë procesin e negociatave.

Maqedonia e Veriut është në pritje të hapjes së bisedimeve që nga viti 2009, ndërsa Shqipëria nga viti 2018.

Pas publikimit të këtij raporti, një vendim i mundshëm pozitiv mund të merret në samitin e 27-28 marsit në Bruksel.

Share This Article