Këngëtarja turke Gulsen është arrestuar dhe akuzuar për nxitje të urrejtjes për një shaka që ka bërë me shkollat fetare.
Në prill, këngëtarja e quajti “pervers” një anëtar të grupit të saj dhe se “perversiteti” ishte për shkak se ai kishte marrë pjesë në një prej këtyre shkollave.
“Ai u diplomua në Imam Hatip (shkolla fetare) nga atje vjen ana e tij perverse”, kishte thënë ajo.
Pavarësisht se komentet ishin të vjetra, ato së fundmi u bënë virale në internet, duke tërhequr kritika nga qarqet konservatore, shkruan BBC.
Kritikët thonë se arrestimi është një përpjekje e presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të konsoliduar mbështetjen përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Para arrestimit të saj, Gulsen – e cila shihet si Madonna e Turqisë – kishte kërkuar falje në mediat sociale dhe sugjeroi se fjalët e saj u kapën nga ata që synojnë të “polarizojnë shoqërinë”.
Duke shkruar në Twitter dhe Instagram, këngëtarja tha se ndërsa po “mbronte lirinë e shprehjes” me “shakanë mes kolegëve” i kërkoi falje “të gjithëve që u ofenduan”.
Presidenti Erdogan, AK Partia e të cilit erdhi për herë të parë në pushtet rreth 20 vjet më parë, studioi në një nga shkollat e para fetare të vendit Imam Hatip, të cilat u themeluan nga shteti për të edukuar të rinjtë për të qenë imamë dhe predikues.
Në institucionet kanë marrë pjesë edhe shumë të tjerë në qeveri.
Këngëtarja, emri i plotë i së cilës është Gulsen Colakoglu, është kritikuar më parë nga elementë konservatorë të shoqërisë turke për veshjen e saj dhe mbështetjen për të drejtat LGBT.
Arrestimi i 46-vjeçares ka përçarë vendin, me mbështetësit konservatorë dhe pro-qeveritar që i përshkruan gjerësisht komentet e saj si “pafytyrësi”, ndërsa zëra më liberalë dhe pro opozitës e kritikuan arrestimin e saj si joproporcional dhe reaksionar.
Masa vjen gjithashtu mes diskutimeve të vazhdueshme rreth “ndërhyrjeve të pretenduara të AKP-së në stilin e jetesës”, përveç ndalimeve të fundit në një numër festivalesh muzikore në vend.
Shumë përdorues të Twitter-it dënuan arrestimin e Gulsen, me disa që e krahasojnë atë me mungesën e veprimeve ligjore kundër një teologu, i cili kohët e fundit sugjeroi vrasjen e atyre që nuk falin namazin.
Harun Tekin, vokalist i grupit popullor të rok Mor ve Otesi, tha se një artiste femër u arrestua “pasi nuk vishej dhe nuk fliste siç kishte imponuar [qeveria]”.
Avokatja Feyza Altun tha se vendimi nuk ka “asnjë arsye ligjore” dhe argumentoi se Gulsen u arrestua për shkak të veshjeve të saj skenike, besimeve, “qëndrimit sfidues” dhe mbështetjes për njerëzit LGBT.
Megjithatë, të tjerë në rrjetet sociale vlerësuan arrestimin për “dhënien e një shembulli të mirë se çfarë do të ndodhë me ata që kalojnë vijën”.
“Të quash dikë nga një shkollë, një klub futbolli ose një etni ‘pervers’ është një krim urrejtjeje”, tha kolumnisti Fuat Ugur.
Ajo aktualisht është në pritje të gjykimit.