Shkodra nuk ka veç artistë, politikanë, biznesmenë apo të rinj, që shohin të largohen sa më parë. Ka edhe profesionistë apo siç të paktë janë ata që sot njihen thjesht si “zanatçinj”.
Shyqyri Garuci është këpucari që profesionin e tij prej 45 vitesh, e ushtron në të njëjtin dyqan të vogel, në lagjen Parrucë. Ka jetuar në Shkodër gjithë jetën e tij, kjo për zgjedhjen e tij, edhe pse fëmijët prej vitesh në emigracion, i luten që të zhvendosen atje.
Jo të gjithë e kanë mundësinë të emigrojnë jashtë, por jo të gjithë kanë dëshirë të ikin, edhe pse zemrën e kanë diku larg. Kështu ka ndodhur me mikun tonë në Shkodër, 62-vjeçarin Shyqyri Garuci, me profesion të parë e të fundit, këpucar.
Në një dyqan të vogël, ka gjithë investimin e jetës. Me të paktat të holla që siguroi, shkolloi fëmijët, që sot i jetojnë larg, njëri në Itali e tjetri në Gjermani. Vetë ka zgjedhur që në rini dhe shumë shpejt, vitet e pleqësirë, t’i kalojë në Shkodrën e tij.
Thotë se pavarësisht ndryshimit të jetës, rritjes së çmimeve edhe për materialet, ai nuk i ka lëvizur çmimet. Kjo sepse, sipas tij, klienti edhe për 100 lekë më shumë, largohet.
Kjo është jeta e tij e përditshme, nga e hëna në të shtunë, me 2 orë pushimi në drekë. Mjaftueshëm, sipas tij, për t’i siguruar një jetë të qetë, pa i munguar asgjë, edhe pse Shkodrën do ta shohë edhe më të bukur në të ardhmen.