“Një Luftë e Tretë Botërore, nëse do të shpërthente, do të ishte bërthamore dhe shkatërruese”, paralajmëroi Serghei Lavrov në një intervistë për “Al Jazeera”.
Ndërkohë agjencia e lajmeve Retuers i referohet të njëjtës deklaratë kërcënuese të ministrit rus, duke cituar agjencinë e lajmeve RIA.
Sipas tij, Rusia nuk do të lejojë Ukrainën të marrë armë bërthamore.
Lavrov ka thënë se Rusia, e cila nisi atë që e quan një operacion të posaçëm ushtarak kundër Ukrainës javën e kaluar, do të përballej me një “rrezik real”, nëse Kievi do të fitonte armë bërthamore.
Shumë njerëz që shohin pushtimin rus të Ukrainës, mund të kenë parë këto ditë skena të cilat nuk do ta kishin menduar kurrë se do t’i shihnin në Europë. Por Fiona Hill, një prej eksperteve më të mëdha amerikane në lidhje me Rusinë, thotë se përsëritja e disa momenteve famëkeqe historike, tregon se nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mund të presësh gjithçka, edhe më të keqen.
“Ukraina është bërë fronti i luftës, jo vetëm mes demokracive dhe autokracive, por një luftë për të ruajtur sistemet e sundimit të ligjit, mbi të cilat bazohet parimi se nuk mund të marrësh një qytet me forcë”, tha në një intervistë për “Politico”, Hill, e cila ka punuar për administrata republikane dhe demokratike në SHBA, si këshilltare për çështjet e sigurisë.
Sipas saj, rreziku me të cilin përballet Perëndimi është i madh. Putin po vepron shumë më tepër emocionalisht këtë herë, duke lënë mënjanë cinizmin dhe pragmatizmin të cilët i zotëron me mjeshtëri. Ai po kërcënon me çdo armë që ka në dispozicion, përfshi edhe ato bërthamore.
“Sa herë që mendoni se ai nuk do ta bënte një gjë të tillë, iu them se po, do ta shtypte butonin”, tha Hill. “Dhe ai dëshiron që ne të gjithë ta dimë këtë gjë. Nuk duhet të frikësohemi, por të përgatitemi dhe të dimë paraprakisht sesi duhet t’i përgjigjemi kësaj krize”.