Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka kërkuar reagim të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, pasi Vuçiq ka thënë se Serbia po përgatitet ushtarakisht pasi që një konflikt i ngrirë mund të eskalojë papritur, njësoj siç ka ndodhur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
“Pres që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja t’u përgjigjen kërcënimeve për luftë të dhunshme, të bëra nga Vuçiqi”, ka thënë Osmani.
Gjatë një fjalimi me të cilin iu drejtua popullit serb sot, kryeministri Vuçiq deklaroi se në rast të mosarritjes së një marrëveshjeje, një konflikt i ngjashëm sikurse Nagorno-Karabak mund të ndodhte mes dy vendeve.
“Është e rëndësishme t’ju them se konflikti Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment”, deklaroi ai.
Lidhur me deklarimet e Vuçiqit ka reaguar edhe kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila e ka quajtur Vuçiqin si këlysh të Rusisë që synon të destabilizojë rajonin.