Mali i Zi ka mbetur i mbërthyer në një krizë politike dhe valë protestash. Qindra qytetarë dhe mbështetës të opozitës dolën në Podgoricë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ndëshkimin e tradhtarëve, duke ju referuar kështu kryeministrit aktual, Dritan Abazoviç, për ujdinë me kishën ortodokse serbe. Akuzat ndaj tij ishin se është kthyer në një shërbëtor të Serbisë dhe presidentit të saj.
“As Milosheviçi në vitet ’90 nuk ia doli dhe as Vuçiç tani. Mali i Zi nuk është dorëzuar kurrë. Nuk do të ketë Ballkan të Hapur, nuk do të ketë botë serbe. Dritan Abazoviç, ju që jeni ndihmësi i Vuçiçit, mund të trumbetoni vetëm Ballkanin e Hapur në Beograd, para Vuçiçit, Vulinit, Rakoviçit dhe Beçkoviçit. Duart larg nga Mali i Zi. Ne jemi këtu për të mbrojtur çdo pëllëmbë të Malit të Zi”, tha deputetja Draginja Vuksanović-Stankoviç.
Akuzat ndaj Abazoviç vijuan, duke pretenduar se ai punon për dikë tjetër dhe jo për të mirën e vendit, për të penguar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ai është fshesa dhe lopata e dikujt tjetër që dëshiron ta shtyjë Malin e Zi në Ballkanin e Hapur, që nuk është gjë tjetër veçse bota serbe”, tha Vido Drashkoviç nga Partia Socialdemokrate.
Ndërsa gazetarja Krsmanoviç nënvizoi gjatë protestës se njerëzit kanë dalë në protestë për të mbrojtur Kushtetutën, reputacionin e Malit të Zi, institucionet e dëmtuara dhe gjithë vendin.