Technologji
Kërkohet që Mali i Zi të dëmshpërblejë familjarët e të gjithë viktimave civile të luftërave
Vendimi i Qeverisë së Malit të Zi për ndarjen e ndihmës financiare për familjet e viktimave civile të luftërave të viteve ’90 është historik dhe me rëndësi të madhe për përballjen me të kaluarën, por nuk i ka përfshirë familjet e të gjitha viktimave.
Ky është vlerësimi i përbashkët i organizatës Aksioni për të Drejtat e Njeriut (HRA), Komitetit të Juristëve të Malit të Zi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Shoqatës “Shtërpcë – Kundër Harresës”.
Shoqëria civile thotë se shteti ka një detyrim moral edhe ndaj viktimave të krimeve të luftës në Kalugjerski Laz, ku Ushtria e Jugosllavisë qëlloi mbi një kolonë refugjatësh nga Kosova dhe vrau 21 persona.
Qeveria e Malit të Zi ka vendosur që ndihma të ndahet për gjithsej 16 familje të viktimave të rasteve të deportimit të refugjatëve nga Bosnja dhe Hercegovina në vitin 1992, të rrëmbimit në Shtërpcë (në Bosnje) në vitin 1993, si dhe të bombardimeve të NATO-s në Murinë dhe Tuz në vitin 1999.
Familjeve do t’u ndahen nga 100 mijë euro, duke korrigjuar kështu një padrejtësi disadekadëshe dhe duke konfirmuar përkushtimin e Malit të Zi për njohjen e të drejtave të të gjitha viktimave të luftës, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Dëmshpërblim për të gjitha viktimat civile të luftës
Megjithatë, sektori civil thotë se nuk është e qartë pse Qeveria ka lënë jashtë familjet e viktimave të tjera civile të luftës.
Duhet të dëmshpërblehen edhe viktimat e zhdukjeve me dhunë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë, si dhe rastet e vrasjeve dhe dëbimeve në Bukovicë, thotë Tea Gorjanc Prelleviq nga HRA.
“Ato janë gjithashtu familje të viktimave civile të luftës, statusi i të cilave është njohur me ndryshimet e fundit ligjore, dhe që kanë pasur ose ende kanë shtetësinë e Malit të Zi”, thotë Gorjanc Prelleviq për Radion Evropa e Lirë.
Miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Mbrojtjen e Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës në shkurt të këtij viti ka mundësuar që familjet e viktimave civile të luftës të kërkojnë dëmshpërblim.
Sipas ligjit, viktimë civile e luftës konsiderohet një person civil i vrarë apo i zhdukur gjatë konflikteve të armatosura në territorin e ish-Jugosllavisë pas 17 gushtit 1990, që kishte shtetësinë e ish-RSFJ-së.
Dëmshpërblimet janë të parashikuara për anëtarët e familjeve të viktimave që kanë shtetësi malazeze.
Sipas të dhënave të HRA-së, Mali i Zi duhet të dëmshpërblejë së paku edhe nëntë familje të tjera.
Gorjanc Preleviq shton se shteti ka një detyrim moral edhe ndaj viktimave të krimeve të luftës në Kallugjerski Laz, ku Ushtria e RFJ-së qëlloi mbi një kolonë refugjatësh nga Kosova dhe vrau 21 persona.
Për shkak të mangësive në hetime dhe procedurat penale, gjatë të cilave nuk u përcaktua përgjegjësia për këtë krim, gjykatat i hodhën poshtë të gjitha kërkesat për dëmshpërblim si të parashkruara.
Edhe sipas evidencës së Komitetit të Juristëve për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka ende disa familje që duhet të dëmshpërblehen, thotë kryetari i këtij komiteti, Velija Muriq.
Ai përmend rastin e familjes Ibrahimaj nga Peja, e cila vitet e fundit jeton në Rozhajë.
Në Kallugjerski Laz humbën jetën katër anëtarë të kësaj familjeje, të cilët në atë kohë kishin shtetësi të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi, thotë Muriq për Radion Evropa e Lirë.
Ai përmend edhe rastin e djaloshit Senad Daciq, i cili humbi jetën nga shpërthimi i bombave kasetore në fshatin Besnik afër Rozhajës, të hedhura nga avionët e ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi në prill të vitit 1999.
“Kjo familje nuk ndryshon në asgjë nga viktimat në Murinë. I vetmi dallim është se viktimat në Murinë u vranë nga avionët e NATO-s, ndërsa këtu kemi të bëjmë me ushtrinë e Serbisë dhe Malit të Zi”, thotë Muriq.
Në Murinë humbën jetën gjashtë civilë, përfshirë tre fëmijë, ndërsa katër të tjerë u plagosën. Familjet e tyre janë përfshirë në vendimin për dëmshpërblim.
“Vendim edhe pozitiv, edhe zhgënjyes i Qeverisë”
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa nga familjet që nuk janë përfshirë në vendimin e Qeverisë.
Ellsana Nurkoviq, e bija e një të zhdukuri në Kosovë, thotë se këtë vendim e sheh njëkohësisht si pozitiv dhe zhgënjyes.
“Ligji që njeh disa persona si viktima të luftës nga ana e shtetit është një hap shumë i madh dhe pozitiv. Por nga ana tjetër, fakti që jo të gjithë janë përfshirë dhe që dikush duhet të provojë se është apo jo viktimë – është poshtërues dhe degradues”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ajo është njëra nga gjashtë vajzat e Halit Nurkoviq nga Rozhaja, i cili në korrik 1999, pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, nisi një udhëtim drejt Kosovës me kolegun e tij Dervish Muriq për të transportuar një pasagjere.
Ata u panë për herë të fundit afër Pejës, pas së cilës humbi çdo gjurmë e tyre. Dy dekada e gjysmë më vonë, familja ende nuk di asgjë për fatin e Halitit.
Përpjekjet për të gjetur të vërtetën përmes institucioneve të Malit të Zi, Kosovës dhe ndërkombëtarëve, kanë qenë kryesisht pa përgjigje.
“Tani duhet të luftosh për të dëshmuar që i përket asaj kategorie [të personave që marrin dëmshpërblim] dhe kjo e bën gjithë procesin shumë të vështirë”, thotë Elsana.
Sllavica Silanoska, bashkëshortja e një të rrëmbyeri në Kosovë, beson se me këtë vendim Qeveria ka përfshirë fillimisht viktimat që kanë humbur jetën në territorin e Malit të Zi.
“Besoj se do të ketë dëmshpërblim për të gjitha viktimat, se do të vijë radha edhe për ne, sepse nëse fillojnë të ndajnë viktimat, atëherë gjithçka e humb kuptimin”, thotë Silanoska për Radion Evropa e Lirë.
Bashkëshorti i saj, Slavolub Ristiq, një serb nga Kosova, u rrëmbye në Gjilan në korrik të vitit 1999. Pasi kishin ikur përkohësisht në Mal të Zi, ai ishte kthyer në Kosovë për të aplikuar për një vend pune.
Për gjashtë vjet nuk dihej asgjë për fatin e tij, deri kur më 2005 u konfirmua se kishte vdekur, dhe një vit më pas u varros në Vranjë, thotë ajo.
Ajo dhe i biri, i lindur në Kotor në vitin 1997, jetojnë në Mal të Zi dhe kanë shtetësi malazeze.
Organizatat e shoqërisë civile kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga ministria përgjegjëse që të përfshijë në vendim edhe familjet e tjera të viktimave civile të luftës.
“Shpresojmë që respektimi i të drejtave të tyre në Mal të Zi të bëhet shembull për vendet e tjera të rajonit, për vendime të ngjashme që do të përfshijnë të gjitha familjet e viktimave të krimeve të luftës”, thuhet në fund të deklaratës së përbashkët të HRA-së, Komitetit të Juristëve dhe Shoqatës “Shtërpcë”. REL
Bota
Dronët zbulojnë virus vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut
Dronët e pajisur me teknologji të posaçme kanë ndihmuar shkencëtarët të zbulojnë një virus potencialisht vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut, duke hapur një kapitull të ri në monitorimin e shëndetit të gjitarëve detarë.
Shkencëtarët fluturuan dronë të pajisur me pajisje të posaçme përmes pikëzave të nxjerra gjatë frymëmarrjes, ose “fryrjeve”, që krijohen kur këta gjigantë dalin në sipërfaqe për të marrë frymë.
Analizat zbuluan praninë e morbillivirusit cetacean, një virus shumë ngjitës që përhapet lehtësisht midis delfinëve, balenave dhe derrave të detit, duke shkaktuar sëmundje të rënda dhe vdekje masive.
Ky është konfirmimi i parë se virusi po qarkullon mbi Rrethin Arktik, duke paraqitur një kërcënim serioz për ekosistemet detare.
Sipas studiuesve, kjo metodë është një hap i madh përpara, pasi lejon monitorimin e balenave të gjalla pa i stresuar apo dëmtuar ato. Virusi mund të përhapet lehtësisht mes specieve dhe të udhëtojë nëpër oqeane, çka e bën edhe më të rrezikshëm.
Shkencëtarët shpresojnë se përdorimi afatgjatë i kësaj teknologjie do të ndihmojë në identifikimin e hershëm të kërcënimeve dhe në mbrojtjen më të mirë të jetës detare në një Arktik që po ndryshon me shpejtësi.
Bota
Plani sekret i Kinës në “zemër” të Himalajeve
Në një zonë të largët të Himalajeve, Kina po ndërton një sistem hidroenergjetik me vlerë 168 miliardë dollarë në lumin Yarlung Tsangpo, që pritet të prodhojë më shumë energji se çdo hidrocentral tjetër në botë. Projekti, i cili zbaton një rënie lartësie prej 2,000 metrash dhe përfshin tunele dhe stacione kaskade, synon të furnizojë energji për makinat elektrike dhe qendrat e inteligjencës artificiale, duke zvogëluar varësinë nga qymyri dhe emetimet e karbonit.
Megjithatë, ndërtimi ngre shqetësime të mëdha ekologjike dhe sociale, shkruan CNN. Zona e “Great Bend”, ku lumi ndryshon drejtim përreth maleve, është e pasur me biodiversitet, përfshirë specie të rrezikuara si tigri i Bengalit dhe panda e kuqe, dhe banorë vendas si Monpa dhe Lhoba mund të detyrohen të zhvendosen. Vlerësimet e ndikimit mbi ekosistemet dhe shoqëritë lokale mbeten të pasigurta, duke shtuar frikën se projekti mund të shkaktojë dëme të paparashikuara.
Projekti ngre gjithashtu tensione diplomatike. Lumi Yarlung Tsangpo bëhet Brahmaputra në Indi dhe Bangladeshi, duke mbështetur miliona banorë që varen nga peshkimi dhe bujqësia. Autoritetet indiane e kanë quajtur projektin një “bombë uji”, duke paralajmëruar për potenciale ndikime katastrofike në rast të kontrollit ose lëshimit të papritur të ujit. Marrëdhëniet midis Pekinit dhe New Delhit për lumenjtë transnacionalë janë tashmë të ndërlikuara dhe ndërtimi i hidrocentralit mund të tensionojë më tej situatën.
Kina ka theksuar se ka zbatuar masa të forta për mbrojtjen ekologjike dhe sigurinë inxhinierike, duke premtuar monitorim mjedisor dhe komunikim me vendet në vijën e poshtme të lumit. Por ekspertët paralajmërojnë se rreziqet janë të mëdha për shkak të lëvizjeve sizmike, reshjeve të paparashikueshme dhe përmbytjeve, si dhe pasojave për banorët dhe ekosistemet e Himalajeve.
Ndërsa Kina synon të kthejë Tibetin në një qendër të energjisë së pastër, projekti tregon sfidat mes zhvillimit teknologjik, sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së mjedisit, duke bërë që hidrocentrali i Yarlung Tsangpo të konsiderohet një ndër ndërmarrjet më ambicioze dhe kontroverse në historinë e vendit.
Bota
Avionë në formacion si zogjtë shtegtarë! Metoda e re e fluturimit
Kompania europiane Airbus po eksperimenton me një koncept të ri të fluturimit në formacion, i frymëzuar nga zogjtë, për të ulur konsumin e karburantit dhe ndikimin mjedisor të industrisë ajrore.
Projekti, i quajtur “Fello’fly”, synon të përdorë efektin e krijuar nga avioni që udhëheq formacionin për të përmirësuar efikasitetin e karburantit të avionëve që e ndjekin, një efekt i njohur si “rikuperimi i energjisë nga shtrati i ajrit”.
Testimet u realizuan në bashkëpunim me linjat ajrore Air France, Delta Air Lines, French Bee dhe Virgin Atlantic, duke kryer tetë fluturime mbi Atlantikun e Veriut midis shtatorit dhe tetorit 2025.
Avionët u vendosën në një formacion që imiton pozicionin e zogjve migratorë, ku avioni kryesor gjeneron një ngritje që ndihmon avionët pasues të konsumojnë më pak karburant, duke ruajtur gjithashtu distancën e sigurt sipas rregullave të aviacionit.
Airbus njofton se nëse kjo teknikë zbatohet në fluturimet komerciale, mund të arrihet një kursim karburanti në fluturimet e gjata dhe një reduktim i ndjeshëm i emetimeve të CO2.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se reduktimet do të jenë të kufizuara. Çmimi i lartë i karburanteve të pastra, mungesa e avionëve të rinj dhe rritja e vazhdueshme e trafikut ajror e komplikojnë përmirësimin e qëndrueshmërisë.
Parashikohet që deri në vitin 2040 të ketë 8 miliardë pasagjerë në vit, duke rritur ndjeshëm flotën globale.
Sipas një studimi të Transporte dhe Mjedisit, edhe përdorimi i karburanteve alternative SAF nuk do të eliminojë plotësisht përdorimin e karburanteve fosile, duke treguar sfidat e vazhdueshme për një aviacion më të gjelbër.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania5 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK4 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Sports4 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania21 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania21 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
Albania22 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
