Vala e përjashtimeve duket se nuk do të kalojë lehtë në Partinë Demokratike.
Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, pjesëmarrës në takimet e Ervin Salianjit, të përjashtuar me vendim të Kryesisë, së bashku me dhjetëra mbështetës të tyre, demokratë të Durrësit, trokitën në dyert e Partisë Demokratike për të kërkuar shpjegime për masat e marra ndaj tyre.
Dritan Burgija, anëtar i Këshillit Bashkiak Durrës, tha: “Sot jam për të kërkuar dinjitetin tim. Përjashtimi është antistatutor”.
Dy këshilltarët kërkesën e tyre e kishin edhe zyrtare, duke e depozituar në Komisionin e Apelimit. Motiv për përjashtimin shohin vetëm pjesëmarrjen e tyre në takimin e organizuar nga Ervin Salianji.
Vizita e tyre në selinë e Partisë Demokratike nuk shkoi më shumë se oborri, ndërkohë që Sali Berisha në atë moment ndodhej në zyrë dhe Flamur Noka po ashtu ishte në seli.
Teksa Burgija ishte duke kërkuar shpjegime për përjashtimin nga partia, Noka doli nga zyra dhe u largua nga selia.


