Shumë pak dihet për gjendjen shëndetësore të Michael Schumacher, nga ajo ditë e mallkuar e 29 dhjetorit 2013, ku një aksident në dukje të parë banal mbi ski në Meribel të Francës e fshehu mitin e Formula 1 nga opinioni publik, por jo nga vëmendja ndaj tij.
Shumë pak informacione filtrojnë, dhe me siguri ai gjendet ende në shtrat pas një periudhe kome dhe pasojave neurologjike të rënda si pasojë e impaktit me një shkëmb.
Përtej kësaj, dhe lajmeve që tregojnë se ai tashmë është i vetëdijshëm, duke ndjekur edhe garat e djalit të tij Mick në Formula 1, asnjë pamje e përditësuar e 7 herë kampionit të botës nuk është shpërndarë nga familjarët e tij.
Por këto pamje jo vetëm ekzistojnë, por dikush ka tentuar t’i shesë ato kundrejt një shume marramendëse.
Ky person, me shumë gjasa një ish-mik i ngushtë i gjermanit, që kishte akses në vilen zvicerane ku Schumacher jetonte, ka përfituar nga statusi i tij si i afërm për të shkrepur disa fotografi me kampionin në shtrat, rreth viteve 2016, ndërkohë që më pas ka tentuar të shesë ato në mediat më të ndryshme të botës.
Përgjigja e marrë ka qenë gjithmonë negative, një akt për t’u përgëzuar nga media që shpesh herë akuzohet për cinizëm, por edhe shpërblimi i duhur moral për mikun besëprerë.