Albania
Këshillat bashkiakë, socialdemokratët e Tom Doshit ngjiten në vend të katërt
Nga Gjergj Erebara
Për nga numri i posteve në këshillat bashkiakë të Shqipërisë dhe votave të fituara renditet në vend të katërt, pas Partisë Socialiste, koalicionit Bashkë Fitojmë dhe Partisë Demokratike zyrtare. Por për shkak se votat e PSD-së duket se janë përqendruar në mënyrë strategjike në disa qarqe të vendit, nëse të dielën do të kishte pasur zgjedhje parlamentare dhe jo zgjedhje të pushtetit vendor, Tom Doshi do të kishte fituar tre mandate deputetësh në Shkodër, dy në Tiranë, një në Durrës dhe një në Dibër, ndërsa nuk është shumë larg fitimit të një mandati edhe në Elbasan.
Një mandat tjetër i mundshëm është në qarkun e Fierit, ku PSD ka marrë rreth 8600 vota. Me shtatë deri në nëntë mandate deputetësh, kryetari i socialdemokratëve, i sanksionuar nga amerikanët për ‘përfshirje në korrupsion madhor’, me shumë gjasa mund të jetë një nga politikanët më të fuqishëm të vendit. Nuk është pa gjasa që, nëse dy palët tradicionale të politikës shqiptare, PS dhe PD, të ndahen për pak mandate qeveritare, siç ka ndodhur në 2009 e 2013, Doshi të gjendet në pozicionin e “kingmaker-it”, pra forcës përcaktuese që mund t’i japë shumicën qeverisëse secilit krah që dëshiron.
Me pak fjalë, suksesi elektoral i Doshit në shumë qarqe kyçe dhe, mbi të gjitha, në qarqet që më parë kanë qenë baza të fuqishme të opozitës, lehtëson punën e Edi Ramës për një mandat të katërt, edhe në rast se në ndonjë farë mënyre, opozita ringrihet.
BIRN analizoi të dhënat për rezultatin e zgjedhjeve për këshillat bashkiake në të gjithë vendin, duke agreguar votat e secilës parti në rang kombëtar. Shqiptarët votojnë për këshilla bashkiake përmes sistemit të listave të mbyllura, në të cilat, partitë rendisin kandidatët e vet. Dyzet parti u regjistruan në garën e të dielës së kaluar, ku jo të gjitha garuan në të gjitha bashkitë e vendit.
Në total, shqiptarët hodhën 1.35 milionë vota të vlefshme për këshillat e bashkive dhe zgjodhën 1613 këshilltarë.
Partia Socialiste mori 580 mijë vota dhe 757 këshilltarë, pasuar nga koalicioni i opozitës kryesore Bashkë Fitojmë me 248 mijë vota dhe 292 mandate. Partia Demokratike zyrtare mori 104 mijë vota dhe 123 mandate. Partia Socialdemokrate mori 86 mijë vota ose 6.4%, me 116 mandate për këshilltarë.
Nëse krahasohet me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, numri i votave të PSD-së është rritur me 2.4 herë, ndërsa numri i mandateve potenciale për parlament është rritur me mbi dy herë. PSD mori në zgjedhjet e fundit parlamentare 35 mijë vota ose 2.3% të votave të vlefshme. Përqendrimi i këtyre votave në Shkodër dhe Tiranë i dha asaj dy mandate në Shkodër dhe një në Tiranë.
Partia Agrare Ambientaliste e drejtuar prej kohësh nga Agron Duka, u rendit e pesta për nga numri i votave të fituara në zgjedhjet vendore. Ajo mori 44 mijë vota ose 3.3% të votave të vlefshme, dhe siguroi 52 këshilltarë. Ajo ka përfaqësi në 48 nga 61 këshillet bashkiake të vendit. Kryetari Duka, një biznesmen, deklaroi në media pas zgjedhjeve se ai është i hapur për negociata për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke sinjalizuar një afrim të mundshëm me Partinë Socialiste. Duka ka qenë më herët ministër socialist, por ka ndryshuar krah dhe ka shumë vite në opozitë.
Partia Republikane Shqiptare e Fatmir Mediut mori 32 mijë vota ose 2.4, pasuar nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, me 29 mijë vota ose 2.2 për qind.
Edhe gjashtë parti të tjera morën më shumë se sa 1% të votave, ndërsa pjesa tjetër e subjekteve zgjedhore morën më pak se sa 1% të votave të vlefshme në rang vendi.
Përveç katër partive të mëdha, Socialistët, Bashkë Fitojmë, Partia Demokratike dhe Socialdemokratët, partitë e tjera të vogla dhe kandidatët e pavarur morën sëbashku 24% të votave.
Makineri elektorale
Partitë e vogla kanë shërbyer tradicionalisht në Shqipëri si makineri elektorale në shërbim të të mëdhenjve. Në fillim të viteve 2000, pasi Kushtetuta e vitit 1998 krijoi kushtet që partitë e vogla që kalonin pragun prej 2% të fitonin tre mandate deputetësh, disa parti të ndryshme u shfaqën si forca të rëndësishme elektorale, duke shërbyer te forcat e mëdha për makinacione të ndryshme. Në një rast, ato u cilësuan si “parti taksi” apo “parti ministri.” Termi i parë lidhet me një deklaratë të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili refuzoi të bëjë koalicion parazgjedhor me disa parti të vogla, në atë kohë të pozicionuara majtas, si Partia Agrare apo Partia Socialdemokrate, duke deklaruar se këto lloj partish ishin si shërbim taksi, mund të hipësh ose të zbresësh kur të duash.
“Partia ministri” ishte termi që nënkuptonte një makineri elektorale të lidhur me një ministri të caktuar. Fjala vjen, Partia Agrare lidhej me drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë nga ish-kryetari i kësaj partie, Lufter Xhuveli.
Në fillim, supozimi ishte që një parti e tillë përdor një rrjet të gjerë drejtorish dhe të punësuarish në shtet si dhe familjarët e tyre për të mobilizuar vota, të cilat, në rang kombëtar, mbështesin shumicën parlamentare të njërës prej partive të mëdha. Dhe duke qenë se këto parti e lidhin ekzistencën e vet me shfrytëzimin e burimeve publike, të tilla si vende pune apo fonde publike, ato rrezikojnë të shuhen në rast se bien në opozitë.
Si të tilla, këto lloj partish mësuan të ndryshojnë krah politik pa shumë mëdyshje. Në vitin 2005, kur Partisë Demokratike iu desh të forcojë maxhorancën e vet të dobët parlamentare, Partia Agrare, e cila kishte shërbyer për dy mandate për socialistët, bëri aleancë me të dhe vijoi të mbajë Ministrinë e Bujqësisë.
Në vitin 2009, Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi Partia Demokratike nuk arriti të sigurojë një shumicë parlamentare, ndryshoi krah duke marrë një kuotë pushteti në të gjithë administratën shtetërore të demokratëve. LSI ndryshoi krah sërish më 2013, duke i dhënë shumicë të cilësuar parlamentare socialistëve. Këta të fundit thirrën në ndihmë edhe partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, elementët lokalë të së cilës në Elbasan u integruan më vonë në PS. Njëri prej tyre, Aqif Rakipi, i cili u zgjodh fillimisht në aleancë me PD-në në Elbasan, u shpall “non grata” më vonë nga amerikanët.
Makineri elektorale të tilla kanë demonstruar në të shkuarën aftësinë për të ndryshuar profilin politik të një zone në mënyrë drastike, nga tradicionalisht e majtë në të djathtë ose anasjellas. Ndërsa socialdemokratët duket se kanë kontribuuar në zgjedhjet e së dielës në këtë funksion në disa bashki të rëndësishme, si Shkodra, Lezha e Dibra. Në Shkodër, ku kandidati socialist Benet Beci fitoi duke marrë gati 35 mijë vota në zgjedhjet lokale, PSD arriti të marrë 13 mijë vota për këshill bashkiak, duke sugjeruar se më shumë se një e treta e suksesit të Becit i dedikohet mbështetjes nga PSD. Kjo e fundit nuk është zyrtarisht në aleancë me socialistët, por ka mbështetur publikisht qeverinë e Edi Ramës, ndërsa tre deputetët e saj në parlament votojnë rregullisht në mbështetje të maxhorancës.
Në zgjedhje lokale, partitë e vogla duket se u shërbejnë të mëdhenjve njëkohësisht si makineri elektorale dhe si një mjet i leverdisshëm për të kontabilizuar kontributin e secilit prej të fortëve të zonave në rezultatin final të kandidatit për kryetar bashkie. Për shembull, një këshilltar bashkiak, që në të shkuarën të del si kandidat apo këshilltar i një partie të caktuar, rezulton më vonë kandidat i një partie krejt tjetër.
Kjo duket se shpjegon faktin që në disa bashki të vogla, si, fjala vjen, Pukë apo Kukës, ka një numër të pazakontë partish garuese për këshill bashkiak. Për shembull, në Kukës, për 31 postet e këshillit bashkiak, garuan 29 parti. Nga këto, nëntëmbëdhjetë parti siguruan nga së paku një vend në këshill. Nga kontrolli i disa prej kandidatëve fitues, duket se shumë prej tyre kanë ndryshuar parti./ BIRN
Albania
Krimi në familje, burri dhunon gruan për vdekje, vetëvritet me pistoletë
Një 50-vjeçar ka vrarë bashkëshorten e tij e më pas veten. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Orikum të Vlorës mesditën e 2 janarit.
Sose Xhebroj mësohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, Llogora Xhebroj, 50 vjeç.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se çifti kanë pasur probleme me njëri tjetrin dhe kishin shkuar drejt divorcit, teksa janë prindër të dy djemve të rritur. Policia po heton ngjarjen.
“Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.
Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.
Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thotë policia.
Albania
Emrat/ Zbardhet vrasja, shpërthyen me telekomandë boksin elektrik ku humbi jetën Hysni Ymeri, 4 të arrestuar në Shkodër
Eshtë zbardhur ngjarja e rëndë që ndodhi në 29 dhjetor në lagjen Manush Alimani në Shkodër, ku si pasojë e shpërthimit në boksin elektrik të pallatit ku banonte humbi jetën 61-vjeçari Hysni Ymeri.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “SHADOWS”, janë arrestuar shtetasit Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “SHADOWS”. Zbardhet vrasja me lëndë eksplozive e shtetasit H. Y., e kryer më datë 29.12.2025, në lagjen “Manush Alimani”.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP Shkodër.
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit H. Y., bazuar në provat e siguruara, u finalizua operacioni policor i koduar “SHADOWS”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
-G. B., 27 vjeç
-E. I., 27 vjeç
-E. H., 25 vjeç
-Gj. Z., 24 vjeç
Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi H. Y.
Gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.
Vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;
“Shkatërrimi i pronës me eksploziv”;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim;
dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Albania
Gjykata refuzon sekuestrimin e 20 pasurive të Kristjan Boçit dhe Elman Abules
Gjykata e Tiranës, ka vendosur të mos sekuestrojë rreth 20 pasuri me vlerë gati 50 milion euro, për të cilat policia dhe prokuroria e kryeqytetit, ka pasur indicie të forta se vijnë nga aktiviteti kriminal i personave që i posedojnë ato.
Informacionet e siguruara nga gazetari Elton Qyno, tregojnë se miku i Erjon Veliaj, Elman Abule, që sot në Tiranë konsiderohet biznesmen i sukseshëm, në vitin 2004-2005, ka qënë në Belgjikë një hajdut i dhunshëm, duke përdorur çelësa të kopjuar dhe metodën e thyerjes.
Drejtoria e Interpolit në 12 shtator 2023 është informuar se Elman Abule rezulton i dënuar më datë 17 janar 2007, nga Gjykata e Antvvep, me 30 muaj burg për veprën penale të “Vjedhje me thyerje ose duke përdorur çelësa të kopjuar dhe krijim bande”, duke u dënuar ky shtetas me 2 vjet burg me kusht dhe 1 vit vit në burg për “krijim bande”.
Gjithashtu, rezulton se miku i Abules dhe ish-ortak me subjektin “Rametal” dhe shoqërinë tjetër “Ferro Chrome Holding”, ka qënë Kristian Boçi, i përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe i arrestuar në vitin 2011 në Itali, i cili njihet për lidhjet e tij dhe me persona të tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve si Eldi Dizdari.
Gazetari Qyno,ka mësuar se vendimi i mospranimit të kërkesës së prokurorisë, është dhënë pak ditë më parë nga gjyqtari i Tiranës, Altin Abdiu, i cili në fillim të muajit qershor 2025 u rikthye në funksionin e gjyqtarit nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit.
Abdiu, refuzoi të sekuestrojë 20 shoqëri tregtare, dyqane, apartamente e vila me vlerë rreth 50 milionë euro, të cilat zotërohen nga Kristian Boçi, Elman Abule, mik i afërt i Erjon Veliaj, Vladimir Avramit si dhe 4 personave të tjerë të lidhur me këta persona.
Ndërkohë pritet që me zbardhjen e vendimit të gjykatës, prokuroria e Tiranës të ushtrojë Apelim në gjykatën e Apelit, duke kërkuar sekuestrimin e këtyre pasurive.
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK4 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports4 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
