Covid-19 e ka izoluar në shtëpi, por nuk e ka shpëtuar Voltana Ademin nga padia në gjykatë që i bëhet nga këshilli bashkiak i Shkodrës.
Kryetarja në detyrë duhet të përballet me padinë e ngritur për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës të KF Vllaznia.
Sipas të zgjedhurve socialist, Ademit edhe pse i ishin vënë në dispozicion vendimet e këshillit, ajo i ka kthyer me argumentin se dokumentacioni nuk është në formën e duhur ligjore.
Sipas këshilltarit Arbis Vjerdha padia nuk ka vlerë mbi këtë argument, por ajo sipas tij duhet bërë për abuzimet e pafundme që kanë ndodhur në gjithë këto vite tek klubi kuqeblu.
Palët do të shihen në gjyq, aty ku do të përballen me qëndrimet lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë vetë Voltana Ademi pak orë pas zhvillimit të mbledhjes, e kontaktuar nga Ora News mbi këtë fakt shprehet se është e qetë në ushtrimin e detyrës së saj.
“Nuk jam njohur me projekt vendimet. E kam dëgjuar për here të parë përmes televizionit. Jam e qetë në ushtrimin e detyrës time me korrektesë. Nga paraqitja në seancën e këshillit teknikisht asgjë nuk kuptova nga pretendimet. Do ta lexoj me vëmendje dhe do të hedh dritë me profesionalizëm për çdo paqartësi në aplikim të ligjit nëse kanë. Meqenëse më pyet, po ju dërgoj vendimet e të gjithë kryetarëve të Bashkive Vlorë, Kamëz, Lushnjë, etj. Ata me tagrin që u jep ligji kanë ushtruar detyrën sikurse ligji parashikon. Nuk besoj se Shkodra për faktin e të qenurit në opozitë bën ndonjë përjashtim”, tha Ademi.