Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës ka futur në rendin e ditës propozimin e socialistëve për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Nga 15 anëtarë të komisionit, të gjithë votuan pro, ndërsa këshilltari i Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj, nuk mori pjesë në votim. Vendimi për shkarkimin e Veliajt pritet të merret sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në orën 16:00.
Në Komisionin e Ligjeve, opozita u shpreh pro shkarkimit, por kërkoi që Veliaj të ishte i pranishëm në seancë, në mënyrë që procedura të jetë e ligjshme dhe të mos i japë atij mundësinë të rikthehet më pas me një vendim gjyqësor.
Anëtari i Këshillit, Endri Shabani, tha se nuk pati dakordësi për kërkesën e opozitës.
“Jam pro shkarkimit. Nuk janë përfshirë kërkesat e opozitës. U diskutua dhe çështja për të qenë prezent, por kjo lidhet me prokurorinë. Është fakt kronologjik. Veliaj që prej 10 shkurtit është në burg dhe ligji është shumë i qartë. Pas tre muajsh, Këshilli Bashkiak i propozon Këshillit të Ministrave shkarkimin e tij. Debati ishte që nuk u përfshinë kërkesat e opozitës. Kam qenë i pari që kam kërkuar shkarkimin e Veliajt, por sot i erdhën mendtë anëtarëve të Partisë Socialiste dhe po e votojnë. Më mirë vonë se kurrë! Nuk pati darkordësi për të dëgjuar Veliajn. Ata thoshin të vijë në çdo kohë, por e pengon prokuroria. Erion Veliaj po shkarkohet. Shkohet në zgjedhje të parakohshme”, u shpreh Shabani.
Edhe demokrati Dorian Teliti tha se shkarkimi i Veliajt duhet të bëhet sipas procedurave.
“U deshën 7 muaj kohë nga ana e mazhorancës. Tirana nuk po funksionon. Incineratori po merr 1.1 milionë euro çdo muaj. Mendtë u erdhën. Më mirë vonë se kurrë, ndonëse qëndrimi i PD dhe aleatëve mbetet për shkarkimin një orë e më parë të Veliajt dhe ky akt të jetë i ligjshëm. Propozimi për shkarkimin e Veliajt të mos kthehet nesër si instrument në duart e Veliajt për t’u rikthyer me një vendim të Gjykatës Administrative në krye të detyrës. Qëllimi i opozitës është të largojë Veliajn nga zyra, por t’i vendoset dhe trau kthimit të tij në detyrë”, u shpreh Teliti.
Në argumentin për shkarkimin, këshilltarët socialistë i referohen nenit 62 të ligjit për pushtetin vendor, i cili sanksionon nisjen e procedurave për shkarkim në rast se kryebashkiaku nuk paraqitet në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
Prej shkurtit 2025, kryebashkiaku Veliaj ndodhet në paraburgim, ku po hetohet nga SPAK për disa akuza. Vetë Veliaj ka kerkuar te jete prezent në mbledhje, ndërsa thotë se nuk është njoftuar zyrtarisht nga Këshilli Bashkiak për këtë mbledhje. Nga ana tjetër Këshilli Bashkiak i Tiranës, me një shkresë që mban firmën e sekretarit të Këshillit, i bëri me dije Veliajt se në rast pamundësie për të qenë prezent, qëndrimet e tij mund t’i paraqesë me shkrim.
Shkarkimi i Erion Veliajt do i hapte rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në bashkinë më të madhe në vend. Më herët Partia Socialiste ka shpallur edhe kandidaturën e Ogerta Manastirliut për zgjedhjet e pjesshme të Tiranës.