Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian u mblodh sot në takimin periodik për të diskutuar arritjet dhe rreth progres-raportit të BE për Shqipërinë.
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku u shpreh se “si nga ana e ministrisë, si nga zyra e Kryenegociatorit, stafi i Kuvendit , stafi i sekretariatit kanë bërë një analizë të plotë dhe përveç progresit në disa fusha, kanë vënë re edhe një mungesë të vullnetit politik për t’u angazhuar në këtë proces”.
“Unë e kuptoj se ky proces është peng i datave, peng i tryezave, edhe i elementëve që nuk varën nga Shqipëri, por ne duhet të bëjmë çdo gjë duke punuar çdo ditë për të shkuar te ajo datë, pavarësish se ajo datë vjen apo jo. Me keqardhje, shoh se kjo nuk ka ndodhur ose ndoshta ka pas një mungesë komunikimi për këtë”, tha ajo.
Tabaku shtoi se “në raportin e paraqitur sigurish duke hequr notat e entuziazmit që me të drejtë i takon qeverisë të shprehet. Unë dua të shtoj tre elementë kryesor të cilët lidhen e dhe me parakushte dhe po njëkohësisht, me 9 kriteret që duhen për hapjen e negociatave dhe parakushte për Konferencën Ndërqeveritare. Kam vënë re me kënaqësi që qeveria shqiptare ka raportuar përsa i përket luftës ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, por fatkeqësish nuk kemi asnjë rezultat konkret porsa i përket rezultateve dhe përmirësimit të raportit të fundit të MANIVAL në lidhje me pastrimin e parave. Janë miratuar disa ligje rutinë në Kuvend por nga pikëpamja e zbatimit nuk kemi një element të ri. Kjo është shoqëruar më luftën ndaj korrupsionit ku fatkeqësisht në raportin e fundit të TI Shqipëria ra në 6 vende të tjera, por njëkohësisht duke patur parasysh faktin se duhet të kishim një dinamizëm të ri, duhet të kishim një nxitje të re për këtë proces, unë nuk e shoh këtë në raportimin qeverisë shqiptare. Raportimi i qeveris lidhet me numrin e prokurorëve të SPAK, me numrin e gjykatësve që kalojnë procesin e vetingut, pra me element që nuk janë në dorën tuaj, janë procese që janë në sistem tjetër”.
Tabaku shtoi se “një tjetër në parakushte janë dhe kërkesat për azil jashtë vendit të cilat në fatkeqësisht në 10 vite e fundit kërkesat për azil nga Shqipëria janë 40% e numrit total të azilkërkuesve. Ky është një element që qeveria shqiptare duhet ta marr seriozisht. Unë vlerësojë marrëveshjet e arritura por unë nuk shoh asnjë arritje”.
Një tjetër kriter është blerja e votës, tha Tabaku duke vijuar se është e rëndësishme për forcën politike që unë përfaqësoj, reforma e plotë zgjedhore e cila lidhet edhe me ndryshimet kushtetuese që ne kemi paraqitur. Rekomandimet e OSBE/ODIHR të zbatohen sepse mungon vullneti politik për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe për të ecur përpara.
Tabaku shtoi se “unë e vlerësoj shumë se ka patur 7 takime të institucioneve të përbashkëta nga janari-dhjetor 2021 për zbatimin marrëveshjes së stabilizim asocimit, por duhet që edhe ky këshill duhet të ishte i përfshirë dhe të kemi informacion për këto takime.
“Do kisha dëshirë të fokusoheshim edhe te pushteti vendor. 70% e legjislacionit të BE-së do të zbatohet në nivel vendor, ndërkohë nga informacionet që kemi në shumë bashki nuk janë ngritur njësitë e integrimit. Po ashtu probleme ka edhe në ministri dhe më pak fonde alokohen në këtë proces. Për këto arsye unë jam përpjekur ti ngre këto shqetësime, ndonëse disa janë teknike dhe disa politike të gjithë kanë një emëruar të përbashkët, vullnetin politik. Vullnet politik që e keni dhe nga opozita, por ky vullnet politik duhet përkthyer në rezultate. Ne nuk mund të fshihemi pas vetos së Bullgarisë, por ne duhet të bëjmë punën tonë pavarësish një datë që nuk është në dorën tonë. Këto janë mendimet e mija në lidhje me raportin që i është dërguar këtij komisioni”, theksoi ajo.
Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit, Taulant Balla tha se e rëndësishme është se Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian të jetë në një zë.
Në fjalën e tij, Balla tha se falënderoi Tabakun “për shprehjen e vullneti të plotë nga ana e opozitës për të punuar së bashku me ne në dobi të një procesi që të gjithë biem dakord për përmbushjen e aspiratës së shqiptarëve integrimin në BE”.
“Do të kujtoja një moment historik në rrugën e BE-së. Dje u shënua 30 vjetroi Traktati të Mastrihtit i cili njihet gjerësisht si traktati i BE-së, që në fakt hodhi themelet e BE-së që njohim sot. Po ashtu shtroj rrugën dhe përgatit institucionet për të gjitha palët e zgjerimit, 1995, 2004, 2007, 2014 me Kroacinë dhe unë shpresojë që brenda këtij 10 vjeçar të përmbushet dhe zgjerimi me vende e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Balla shtoi se “unë mendoj se është koha ta shohim këtë proces me pozitivitet edhe pse nuk është në dorën tonë, ngecja e procesit të zgjerimit për shkaqe që më parë nuk kanë ekzistuar. Mbase me parë nuk ka pasur një vend anëtarë të BE-së të përdorë veton. Ne nuk fshihemi pas vetos së Bullgarisë, sepse ajo ka bërë të qartë se nuk ka asgjë me Shqipërinë por me Maqedoninë e Veriu dhe shpresoj të kalojë mes tyre”.
“Ajo që ka rëndësi për mua është se Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian të flas me një zë”, theksoi ai.
Balla shtoi se “ne kemi përmbushur në Kuvend të gjithë paketën e MANIVL dhe është unë intensive e bërë me qeverinë. Dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë ajo e indeksit të korrupsionit të publikuar nga TI me një rënie nga 36 në 35 nga 2020-2021, por mos të harrojmë se në 2013 kemi qenë në indeksin më të rëndë historik porsa i përket korrupsionit në nivelin 31”.
“Ajo që ka rëndësi është se reforma në drejtësi është në hapat e fundit të zbatimit. Të gjithë duhet të biem dakord se duhet të gjithë ta çojmë përpara deri në fund me të njëjtin angazhim që morëm ndaj qytetarëve në 2016. Çështja e zgjatjeve të afateve mandati të vetingut nuk është çështje e karakterit politik, nuk është propozim i PS-së. Mendoj se është një çështje që i tejkalon partitë politike dhe kush mundohet ta lidhi këtë me një axhentë të PS-së e ka gabim. PS, thjeshtë e ka mbështetur”, tha ai.
Balla theksoi se “Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian ka të gjithë mbështetjen e përfaqësuesve të të gjitha kaheve politik për të rritur rolin e këshillit në kuadër të procesit të integrimit evropian”./ATSH/




