Këshilli Ndërfetar mirënjohës ndaj Kuvendit për vendimin mbi projektligjin “Për Barazinë Gjinore”

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNSh) ka shprehur sot mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për qëndrimin e bashkuar dhe të përgjegjshëm të përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës në Kuvend, lidhur me projektligjin e paraqitur nga Ministria e Shëndetësisë për “Barazinë Gjinore”.

Në një deklaratë për shtyp, Këshilli thekson se vendimi i Kuvendit “reflekton respektin ndaj vlerave natyrore dhe parimeve themelore mbi të cilat është ndërtuar shoqëria jonë, si dhe ndjeshmërinë ndaj frymës dhe traditës kulturore e fetare të shqiptarëve.”

KNSh, në emër të pesë komuniteteve fetare në vend, vlerësoi lart dialogun, bashkëpunimin dhe maturinë e treguar gjatë procesit, duke e konsideruar këtë si një “shembull pozitiv të përgjegjësisë institucionale dhe kujdesit për të mirën e përbashkët.”

Këshilli Ndërfetar i drejtoi një falënderim të posaçëm ekspertëve të grupit të punës nga pesë komunitetet fetare, juristëve, sociologëve dhe specialistëve, të cilët kontribuuan në përgatitjen e raportit profesional dhe në lobimin pranë institucioneve vendase e ndërkombëtare.

Gjithashtu, u vlerësua puna e medias shqiptare për pasqyrimin “korrekt dhe të përgjegjshëm të deklaratave për shtyp dhe të raportit të punës së grupit ndërfetar”, duke ndihmuar në informimin e drejtë të opinionit publik.

Në mbyllje të deklaratës, Këshilli Ndërfetar ritheksoi angazhimin e tij për të kontribuar me frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi në çdo nismë që lidhet me mbrojtjen e vlerave njerëzore, shoqërore dhe morale të vendit, si dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

Projektligji “Për Barazinë Gjinore” hyn në kalendarin e Kuvendit, PS premton rregullime

Projektligji “Për Barazinë Gjinore”, i cili ka ngjallur debate dhe kundërshti të forta në opinionin publik dhe mes palëve politike, ka hyrë zyrtarisht në kalendarin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.

Partia Socialiste, propozuese e këtij projektligji, pritet të bëjë disa saktësime në variantin fillestar, përpara se ai të hidhet për diskutim në komisionet parlamentare javën e ardhshme.

Votimi i projektligjit në seancë plenare është planifikuar të zhvillohet më datë 30 tetor.

Ky projektligj është kundërshtuar ashpër nga opozita, e cila pretendon se ai prek rëndë thelbin e familjes tradicionale dhe vlerat themelore të shoqërisë shqiptare. Kundërshtia ndaj ligjit ka bashkuar opozitën me komunitetet fetare në vend.

Share This Article