Ukraina ka reaguar ndaj deklaratës së një zyrtari të lartë të NATO-s, i cili foli për mundësinë e dhënies së territorit nga Kievi në Moskë, në mënyrë që ajo të hynte në Aleancë. Këshilltari i presidentit ukrainas, flet për një propozim “qesharak”, duke theksuar se është një “zgjedhje e qëllimshme për të mposhtur demokracinë”.
“Shkëmbimi i territoreve nën ombrellën e NATO-s? Është qesharake. Kjo nënkupton zgjedhjen e qëllimshme për të mposhtur demokracinë, inkurajimin e një krimineli global, ruajtjen e regjimit rus, shkatërrimin e ligjit ndërkombëtar dhe kalimin e luftës te brezat e tjerë”.
“Natyrisht, nëse Putini nuk pëson një disfatë dërrmuese, nuk ndryshohet regjimi politik në Rusi dhe kriminelët e luftës nuk dënohen, lufta me siguri do të kthehet me oreksin e Rusisë për më shumë. Përpjekjet për të ruajtur rendin botëror dhe vendosjen e një “paqeje të keqe”, le të jemi të sinqertë, triumfi i Putinit nuk do të sjellë paqe në botë, por do të sjellë edhe çnderim dhe luftë”, shtoi Mykhailo Podoliak.
“Kjo vlen për çdo formë të një ‘ndarjeje të re të Evropës’: duke përfshirë ombrellën e NATO-s. Atëherë pse në vend të përshpejtimit të furnizimit me armë propozohet skenari i ngrirjes, të cilin Rusia e dëshiron kaq shumë? Vrasësit nuk duhet të inkurajohen me butësi të tmerrshme…”, përfundoi ai.