Shumica e fortesave dhe kështjellave të ngritura mbi shkëmbinjtë buzë detit, sot janë të famshme për panoramën magjepsëse që ofrojnë, por dikur funksioni i tyre ishte për të vëzhguar dhe për të siguruar mbrojtje. Kështjella të tilla janë të shumta në të gjithë Europën. Disa më të dëmtuara nga koha dhe betejat, e të tjerat në gjendje të shkëlqyer dhe ende në përdorim. Më poshtë, po rendisim 10 nga fortesat më të bukura që janë shndërruar tashmë në atraksione të vërteta turistike.
Forte Sant’elmo, Valleta, Maltë
Kjo kështjellë dikur mbronte pjesën veriore të kryeqytetit të Maltës, Sant’Elmo, nga i cili ka marrë emrin. Ajo ndan dy portet e qytetit, Porto Grande dhe Marsamuscetto dhe së bashku me Forte Tigne dhe Forte Ricasoli, organizon hyrjet e të dyja porteve.
Koules, Heraklion, Kretë
Kështjella Koules, gjendet në qytetin më të rëndësishëm të Kretës, Heraklion. Është e vendosur në hyrje të portit të vjetër dhe është një nga monumentet simbolike të tij. Kështjella u ndërtua nga Republika e Venedikut në fillim të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Venecianët e quajtën “Kalaja e detit”, por sot njihet më shumë me emrin e saj të vënë më vonë nga turqit, “Koules da Su Kulesi”.
Castell D’en plaja, Lloret de Mar, Spanjë
Castell D’en plaja është një kala e ndërtuar në shekullin e njëzetë në Costa Brava, në veri të Spanjës. Ndonëse një ndërtesë jo shumë e vjetër dhe pa ndonjë gjurmë të rëndësishme historike, kështjella e ngritur mbi një kep, ofron një panoramë magjepsëse.
Belem, Lisbonë
Një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një monument simbolik i Lisbonës, Belem nuk ngrihet pranë detit, por në grykëderdhjen e lumit Tagus. Kulla kishte një rol mbrojtës dhe njëkohësisht shërbente si pikënisje për eksploruesit portugezë që ishin në kërkim të rrugëve të reja tregtare.
Castillo de Tossa De Mar, Spanjë
Castillo de Tossa De Mar është një fshat i tërë mesjetar i mbyllur brenda një muri 300 metra të gjatë dhe i zbukuruar me shtatë kulla të rrumbullakëta, 20 metra të larta. Ky mur u ndërtua në shekullin e XII për të mbrojtur bregdetin nga sulmet e piratëve. Kullat e larta ishin një pikë e favorshme nga e cila dalloheshin anijet e armikut nga larg.
Kështjella Dunluce, Irlanda e Veriut
Kalaja Dunluce është një kështjellë e bukur mesjetare me pamje nga deti. Sot, në fakt, është në kushte jo të mira dhe gjatë historisë së saj, ka qenë skena e ngjarjeve të shumta dramatike. Për shembull, thuhet se një pjesë e pallatit që përfshinte kuzhinat pësoi një shembje katastrofike, duke rënë në ujë dhe duke marrë me vete shtatë kuzhinierët që punonin atje.
Kështjella Dover, Mbretëria e Bashkuar
Ndërtimi i kështjellës filloi në shekullin e 12-të dhe është një nga më të mëdhatë në Angli. E ndërtuar nga Henri II i Anglisë, luajti një rol themelor në mbrojtje deri kur ardhja e barutit e bëri atë të humbiste fuqinë e saj. E rikonstruktuar disa herë gjatë historisë, galeritë e kështjellës u përdorën gjithashtu gjatë Luftës së Dytë Botërore si një strehë për evakuimin e ushtarëve të shpëtuar.
Kështjella Goyon, Brittany, Francë
E njohur edhe si Fort La Latte, Goyon u ndërtua në shekullin e katërmbëdhjetë në një kep të pjerrët të bregdetit Breton dhe është një nga kështjellat më të famshme në Brittany. Është përdorur edhe si një vend për të xhiruar shumë filma.
Kështjella Dunnottar, Skoci
E vendosur në bregun lindor të Skocisë, kjo kështjellë u ndërtua në një gadishull me pamje nga Deti i Veriut, i lidhur me kontinentin vetëm nga një rrip i vogël. Kalaja ka një pozicion të mrekullueshëm mbrojtës, pasi zë një pjesë shkëmbore rreth pesëdhjetë metra të lartë. Gjatë shekujve të historisë skoceze, Dunnottar ka qenë skenë e shumë ngjarjeve të përgjakshme.
Kështjella Kronborg, Elsinore, Danimarkë
Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Kronborg ka qenë një nga kështjellat më të rëndësishme të Rilindjes në Evropën Veriore, për shekuj me radhë. Kalaja është gjithashtu e njohur sepse William Shakespeare vendosi atje veprën e tij të famshme “Hamleti”.