Nancy Pelosi mbërriti në Tajvan, në një vizitë që nuk i ka pëlqyer aspak jo vetëm Kinës, por edhe Koresë së Veriut, që e sheh këtë ngjarje si një provokim.
Pekini organizoi stërvitje dhe manovra ushtarake rreth Tajvanit, si nga deti, ashtu edhe nga ajri. Ato do të kryhen në ngushticën e Formosës, do të ketë prova raketore dhe hapësira ajrore e provincës Fujian (më e afërta me Tajvanin nga kontinenti), është lënë e hapur ekskluzivisht për përdorim nga ushtria.
Koreja e Veriut deklaroi se “Tajvani është një pjesë e pandashme e Kinës dhe se çdo problem i lidhur me të duhet të trajtohet si një çështje e brendshme e Pekinit”.
Duke treguar më tej mbështetjen për Kinën, Koreja e Veriut theksoi se “mbështet plotësisht qeverinë e Kinës dhe të drejtën e saj për të mbrojtur sovranitetin e saj kombëtar dhe integritetin territorial”.
“Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të penguar forcimin e Kinës dhe përmbushjen e kauzës së bashkimit do të dështojnë”, përfundoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, së fundmi mbrojti miqësinë midis Phenianit dhe Pekinit, një marrëdhënie që ai ka thënë se është “e vulosur në gjak” dhe do të vazhdojë të zhvillohet në të ardhmen.