“Shoqëria e Kryqit të Kuq të Kinës, sipas kërkesës, do t’i sigurojë Kryqit të Kuq të Ukrainës 5 milionë juanë (791.465 dollarë) ndihma humanitare, duke përfshirë ushqim dhe nevojat e përditshme”
Kina ka dërguar dërgesën e saj të parë të ndihmës humanitare në Ukrainën e goditur nga lufta, njoftoi transmetuesi publik CGTN, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Shoqëria e Kryqit të Kuq të Kinës, sipas kërkesës, do t’i sigurojë Kryqit të Kuq të Ukrainës 5 milionë juanë (791.465 dollarë) ndihma humanitare, duke përfshirë ushqim dhe nevojat e përditshme. Grupi i parë i ndihmave u largua nga Pekini të mërkurën”, tha Zhao Lijian, një zyrtar kinez.
Dërgesa po ashtu përfshin 1.000 komplete familjare me furnizime të tilla si batanije, dyshekë të papërshkueshëm nga lagështia, peshqir, kova dhe elektrik dore.
Wang Yi, ministri i Jashtëm i Kinës, kishte propozuar të hënën një iniciativë me gjashtë pika për të parandaluar një krizë humanitare në Ukrainë, duke përfshirë dërgimin e ndihmave humanitare në Kiev, i cili është nën sulm nga forcat ruse që nga 24 shkurti.
Pekini, i cili kundërshton zgjerimin e NATO-s, nuk e ka dënuar luftën e Moskës kundër Ukrainës, por ka theksuar zgjidhjen e konfliktit përmes dialogut.
Kina ka bërë thirrje për mbështetje të përbashkët për bisedimet e paqes midis Kievit dhe Moskës dhe “të inkurajojë të dyja palët të mbajnë negociata, të kapërcejnë vështirësitë, të vazhdojnë bisedimet dhe të sjellin rezultate paqësore”.
“NATO, e udhëhequr nga SHBA-ja, e ka shtyrë konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës në krater, duke kërkuar hegjemoninë”, tha Zhao.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar dënimin ndërkombëtar, ka çuar në sanksione të rënda financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një eksod të kompanive globale nga Rusia.
Moska iu kundërpërgjigj sanksioneve duke lëshuar një listë të shteteve dhe territoreve që ndërmorën “veprime jo miqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj”. Sipas dekretit, kreditorët jashtë shtetit në këto vende mund të paguhen në rubla në vend të monedhave të huaja.
Presidenti rus, Vladimir Putin, po ashtu ka urdhëruar qeverinë të hartojë një listë të importeve që do të ndalohen ose kufizohen.
Të paktën 474 civilë janë vrarë dhe 861 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, sipas vlerësimeve të OKB-së.
Rreth 2 milionë njerëz kanë ikur në vendet fqinje, tha Agjencia e OKB-së për Refugjatët.
Japonia dërgon pajisje në Ukrainë
Ndërkohë, Japonia dërgoi jelekë antiplumb dhe helmeta në Ukrainë të martën vonë, tha Ministria japoneze e Mbrojtjes në Twitter.
Ndaras, ministri i Mbrojtjes Nobuo Kishi sot u takua me ambasadorin e Ukrainës në Japoni, Sergiy Korsunsky dhe shprehu “ngushëllime për ushtarët ukrainas të rënë në krye të detyrës dhe njerëzit që humbën jetën në luftë”.