Në shfaqjen e fundit të thellimit të marrëdhënieve mes Pekinit dhe Moskës, trupat kineze dhe ruse i nisën të hënën ushtrimet e përbashkëta ushtarake në veriperëndim të Kinës.
Mbi 10.000 ushtarë nga ushtritë ruse dhe kineze po marrin pjesë në ushtrimet në rajonin autonom, Ningxia Hui. Në këto ushtrime do të përfshihen edhe numra të mëdhenj të aeroplanëve e helikopterëve, sistemeve të armëve dhe automjeteve.
Ushtrimi i përbashkët ushtarak mes dy superfuqive vjen në kohën e ndryshimit të situatës së sigurisë në Azi, pas tërheqjes së trupave të huaja nga Afganistani, duke çuar në shtimin e luftimeve mes talibanëve dhe forcave qeveritare.
Ushtrimet e këtij viti janë të katërtat me radhë mes Pekinit dhe Moskës dhe të parat që po zhvillohen në Kinë. Manovrat do të jenë të përqendruara në stabilitetin e Azisë Qendrore, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Kinë, Wu Qian, tha se qëllimi i ushtrimeve është konsolidimi i bashkëpunimit dhe mbajtja e paqes e sigurisë rajonale me fokus në luftimin e terrorizmit dhe themelimin e një qendre të përbashkët të komandës për bashkëpunim më të mirë.
Të nxitura nga kundërshtimi i përbashkët ndaj Shteteve të Bashkuara dhe shqetësimeve të ngjashme strategjike për Azinë Jugore dhe Qendrore, lidhjet mes Kinës dhe Rusisë janë bërë gjithnjë më të ngushta viteve të fundit.