Anëtarët e stafit që punojnë në Komisionin Europian janë urdhëruar që ta heqin aplikacionin TikTok nga celularët e tyre dhe nga pajisjet e korporatës.
Komisioni, këtë vendim të marrë së fundmi e argumentoi si një masë për të mbrojtur të dhënat dhe për të rritur sigurinë kibernetike.
TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, është përballur me akuzat se “vjel” të dhëna personale nga përdoruesit e tij dhe ia dorëzon qeverisë kineze. Nga ana tjetër, vetë TikTok këmbëngul se nuk operon ndryshe nga platformat e tjera sociale.
Qeveri dhe zyrtarë në Europë dhe SHBA kanë marrë hapa të ngjashëm për të limituar përdorimin e aplikacionit nga punonjësit me frikën se të dhënat mund të aksesohen nga Pekini.
Ndërkohë, rregulli i ri për stafin e KE-së, i detyron ata që të mos e përdorin TikTok-un as në pajisje personale në të cilat kanë të instaluara aplikacione zyrtare.
Sipas të dhënave të bëra publike nga KE, organi ekzekutiv i BE-së numëron rreth 32 000 punonjës të përhershëm dhe me kontratë. Ata duhet ta heqin aplikacionin sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se 15 marsi.
Për ata që nuk respektojnë afatin e caktuar, aplikacionet e korporatës, si emaili i Komisionit dhe Skype për Biznes, nuk do të jenë më të disponueshme. TikTok tha se vendimi i KE-së bazohej në ide të gabuara për platformën e tij.
“Ne jemi të zhgënjyer me këtë vendim, i cili besojmë se është i gabuar dhe i bazuar në keqkuptime themelore”, tha një zëdhënës.