Pekini bëri të ditur se ka sanksionuar disa individë dhe subjekte “të përfshira në dezinformim rreth Xinjiang-ut”
Kina vendosi sanksione hakmarrëse kundër nëntë individëve britanikë dhe katër subjekteve të biznesit, duke argumentuar se ata “shpërndanin me qëllim të keq gënjeshtra dhe dezinformata”.
“Që nga sot, individët e implikuar dhe anëtarët e familjeve të tyre të ngushtë janë të ndaluar të hyjnë në territorin e Hong Kongut dhe Makau të Kinës, prona e tyre në Kinë do të ngrihet, kurse qytetarët dhe institucionet kineze do të ndalohen të bëjnë biznes me ta”, njoftoi Ministria e Jashtme kineze në një deklaratë.
Në mesin e individëve, përfshirë disa ligjvënës, janë Tom Tugendhat, Iain Duncan Smith, Neil O’Brien, David Alton, Tim Loughton, Nusrat Ghani, Helena Kennedy, Geoffrey Nice dhe Joanne Nicola Smith Finley.
Pekini gjithashtu vendosi sanksione ndaj Grupit Kërkimor të Kinës, Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Partisë Konservatore, Tribunalit Ujgur dhe Dhomave të Gjykatës Essex.
Në fillim të kësaj jave, Britania kishte vendosur sanksione ndaj zyrtarëve kinezë rreth pretendimeve për abuzim të të drejtave të njeriut të grupeve etnike ujgure në Xinjiang të cilët janë kryesisht muslimanë. Pekini ka mohuar pretendimet e tilla.
“Kjo lëvizje (sanksionet nga Britania), të bazuar në asgjë, por vetëm në gënjeshtra dhe dezinformata, shkel flagrant ligjin ndërkombëtar dhe normat themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërhyn në mënyrë të ashpër në punët e brendshme të Kinës dhe minon rëndë marrëdhëniet Kinë-Brirani”, tha pala kineze.
“Kina është thellësisht e vendosur të mbrojë sovranitetin e saj kombëtar, sigurinë dhe interesat e zhvillimit dhe paralajmëron palën Britanike të mos shkojë më tej në rrugën e gabuar. Përndryshe, Kina me vendosmëri do të bëjë reagime të mëtejshme”, shtoi deklarata.
Pekini thirri gjithashtu ambasadorin britanik në Kinë për të protestuar ndaj sanksioneve.
Kina ka mohuar në mënyrë të përsëritur pretendimet për kampe ndalimi në rajonin e saj veriperëndimor Xinjiang, vendbanimi i komunitetit ujgur, duke pretenduar se është duke “riarsimuar” ujgurët.