Kina i është përgjigjur kritikave perëndimore duke thënë se do të mbetet neutrale në luftën Rusi-Ukrainë dhe nuk do t’i shesë armë asnjërës palë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, deklaratat e Ministrit të Jashtëm kinez Qin Gang u bënë gjatë një konference të tensionuar me gazetarë me ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.
Ministri i Jashtëm i Kinës Qin Gang priti homologen e tij gjermane Annalena Baerbock të premten. Ai tha se Kina dëshiron të punojë për paqen midis Rusisë dhe Ukrainës duke shtuar se Pekini nuk do të furnizojë me armë asnjërën palë.
Zonja Baerbock pati këtë reagim të sinqertë.
“Është mirë që Kina ka sinjalizuar përkushtimin e saj për një zgjidhje, por sinqerisht pyes veten pse qëndrimi kinez deri tani nuk përfshin thirrjen ndaj agresorit, Rusisë, për të ndaluar luftën”, tha kryediplomatja gjermane, Baerbock.
Qëndrimi i saj në Pekin vjen pas vizitës së javës së kaluar të presidentit francez Emmanuel Macron. Presidenti francez shkaktoi kritika të ashpra kur tha se Evropa nuk duhet të mbajë anë në konfliktin midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në lidhje me Tajvanin.
Tensionet në rajon janë përshkallëzuar ndërsa Kina zhvilloi stërvitje masive ushtarake duke rrethuar Tajvanin.
Nga ana tjetër, Tajvani reagio duke zhvilluar një stërvitje ku simuloi reagimin në rast të një sulmi kinez.
Ministri i Jashtëm i Kinës i bëri thirrje Gjermanisë dhe të tjerëve që ta dënojnë Tajvanin.
“Forcat separatiste pro pavarësisë, me mbështetjen dhe ndikimin e disa forcave të huaja, janë të angazhuara në aktivitetet separatiste të pavarësisë së Tajvanit. Ky është shkaku kryesor i situatës së tensionuar në ngushticën e Tajvanit sot. Nëse të gjithë shpresojnë për stabilitet në ngushticën e Tajvanit dhe paqe e qetësi në rajon, ata duhet të mbajnë një qëndrim të qartë kundër pavarësisë së Tajvanit dhe ndërhyrjeve të huaja”, tha shefi i diplomacisë kineze, Qin Gang.
Zonja Baerbock tha se një përshkallëzim ushtarak në ngushticën e Tajvanit do të ishte një skenar katastrofik për tregtinë globale dhe për Gjermaninë e varur nga eksportet.
Disa ekspertë thonë se ka zëra që Presidenti Macron të ketë negociuar me Kinën për të hequr dorë nga dërgesat e armëve në Rusi në këmbim që Franca të duket se do të marrë anën e Kinës në Tajvan. Tani mbetet për t’u parë nëse Pekini do ta respektojë zotimin se nuk do i shesë armë Moskës.
“Jam kurioze të shoh nëse ky është një zotim i besueshëm dhe nëse Kina i përmbahet zotimit. E shoh me pikëpyetje marrëveshjen mes zotit Macron dhe Pekinit. Jam kurioze të di nëse ja vlente e gjithë kjo manovër?”, thotë zonja Carisa Nietsche nga Qendja për një Siguri të re Amerikane.
Por një tjetër eksperte i tha Zërit të Amerikës se megjithëse nuk ishte koha e duhur për vizitën e zotit Macron, ai mund të ketë një mesazh të vlefshëm për politikëbërësit në Uashington dhe Bruksel, se Evropa është tashmë në ankth, pasi agresioni rus në Ukrainë po ndodh kaq afër territorit të tyre.
“Por të gërmosh më thellë, ky është gjithashtu një sinjal për Shtetet e Bashkuara dhe për aleatët e NATO-s që thotë se kriza me Kinën dhe Tajvanin është më pranë se sa duket, por ne duam të sigurohemi që Shtetet e Bashkuara nuk e përqendrojnë tërësisht vëmendjen e tyre aty dhe tërheqin ose devijojnë burimet nga Evropa dhe larg nga përballja me Rusinë”, vlerëson zonja Sibel Oktay nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale.
Kina njoftoi se do të dërgojë në Rusi javën e ardhshme Ministrin e Mbrojtjes, Li Shangfu, për një vizitë katërditore, me ftesë të homologut të rus, Sergei Shoigu./VOA