Uashington ka paraqitur vite më parë B-21 Raider, avionin e tij të gjeneratës së gjashtë, i cili ka si qëllim të bëhet lideri i qiellit. Ky avion është i aftë të kalojë pa u zbuluar nga radarët e armikut dhe mund të kryejë sulme me rreze të gjatë dhe misione mbikëqyrjeje. Megjithatë, plani i zhvillimit të tij është vënë në dyshim për shkak të një plani ambicioz kursimesh të paraqitur nga Departamenti i Efikasitetit Qeveritar, i drejtuar nga Elon Musk, që prek edhe shpenzimet për mbrojtjen, shkruan A2 CNN.
Nga ana tjetër, Pekini ka prezantuar një maket të një avioni luftarak që pritet të sfidojë fuqinë ajrore të Shteteve të Bashkuara. Ky është një version i dytë i “Perandorit të Bardhë” (Baidi), një avion luftarak që ka tërhequr vëmendjen e ekspertëve për mundësitë e tij teknologjike. Ky avion u shfaq për herë të parë në Panairin Ajror të Zhuhait, një ngjarje ku Kina tregon avancimet e saj në këtë industri.
“Perandori i Bardhë” është një avion i gjeneratës së gjashtë, zhvilluar nga Korporata e Industrisë së Aviacionit të Kinës (AVIC), dhe është pjesë e Projektit Nantianmen, një program kërkimi në teknologjinë hapësinore. Ai ka një dizajn aerodinamik me trupa dhe krahë në formë diamanti, dhe është krijuar për t’u bërë i padukshëm për radarët e armikut. Avioni ka kapacitet të përdorë raketa hipersonike me mundësi bërthamore, armë anti-satelit dhe është projektuar për të zhvilluar operacione në lartësi të afërta me hapësirën.
Dizajnerët e avionit kanë parashikuar që ky avion mund të jetë në funksionim të plotë në vitin 2035, por pas paraqitjes së tij në fluturim në dhjetor të kaluar, afatet mund të shkurtohen.