KINË– Një tërmet me magnitudë 6.2 goditi provincën rurale Gansu në veriperëndim të Kinës, pak para mesnatës të së hënës (19 dhjetor), duke vrarë të paktën 105 persona dhe duke plagosur mbi 250 persona. 13 persona të tjerë kanë vdekur në Qinghai, ndërsa 182 persona kanë mbetur të plagosur.
Autoritetet kanë mobilizuar ekipet e shpëtimit, por ata po përballen me temperaturat nën zero. Pjesa më e madhe e Kinës po përballej me temperaturat e ulta pasi një valë e ftohtë përfshiu të gjithë vendin.
Zyrtarët thonë se me këtë mot sfidues, gjetja e të mbijetuarve është shumë e vështirë. Më shumë se 5,000 shtëpi janë dëmtuar, si pasojë e tërmetit, po ashtu edhe rrugët, ndërsa në këtë zona është ndërprerë furnizimi me energji dhe ujë, të cilat të gjitha po pengojnë përpjekjet e shpëtimit. Udhëheqësi i Kinës Xi Jinping ka urdhëruar përpjekjet e plota të shpëtimit dhe qeveria dërgoi ekipet e shpëtimit për të ndihmuar ekuipazhet e urgjencës lokale.
Shumë të mbijetuar u kanë thënë mediave lokale se tërmeti ishte më i forti që ata kanë përjetuar. Ekspertët thanë se magnituda relativisht e madhe e tërmetit, si dhe thellësia relativisht e cekët, rriti numrin e viktimave. Rreth 28 milionë dollarë në fondet e ndihmës ndaj fatkeqësive natyrore janë ndarë për provincat Gansu dhe Qinghai nga ministria e financave dhe ministria e menaxhimit të emergjencave të Kinës.
Tërmetet janë të zakonshme në provincat perëndimore si Gansu, të cilat shtrihen në kufirin lindor të rrafshnaltës Qinghai-Tibetan, një zonë tektonikisht aktive. Për sa i përket viktimave, tërmeti në Gansu është më vdekjeprurësi që nga tërmeti shkatërrues i vitit 2010 në Yushu, provincën Qinghai, i cili mori pothuajse 2700 jetë.
Me magnitudë 6.2, është gjithashtu tërmeti i dytë më i madh. Sipas autoriteteve kineze, tërmeti në Yushu ishte me magnitudë 7.1 ballë. Tërmeti më vdekjeprurës i Kinës në dekadat e fundit ishte në vitin 2008 kur një tërmet me magnitudë 8.0 goditi Sichuan, duke vrarë afro 70,000 njerëz.